Në vendin tonë festohet sot 7 Marsi, që njihet ndryshe si Dita e Mësuesve. Ditë kjo që i kushtohet punës dhe vlerësimit të figurës së mësuesve. Por data kur festohet kjo festë, është në ditë të ndryshme, në vende të ndryshme.
“Dita e Mësuesit”, na përkujton ditën kur më 7 mars 1887, u hap në Korçë, nën drejtimin e Pandeli Sotirit, Mësonjëtorja kombëtare shqipe. Ajo ishte shkollë me karakter kombëtar e laik ( jo fetar ) ku të gjitha mësimet jepeshin në gjuhën shqipe. Drejtues të saj ishin figura të njohura të Rilindjes shqiptare, si: Pandeli Sotiri, Petro Nini Luarasi, Nuçi Naçi, Thoma Avrami.
Në këtë ditë ne të gjithë se bashku kujtojmë mësuesit tonë të parë që na mësuan shkronjat shqipe, na mësuan se si ta duam dhe ta respektojmë atdheun. Ata u bënë gjithashtu udhërrëfyes për rrugën tonë drejt së ardhmes.