Sociale

Fëmijëria e humbur e Mihalit: Babai i alkoolizuar shkatërroi familjen

Shkruar nga Liberale
Fëmijëria e humbur e Mihalit: Babai i alkoolizuar shkatërroi

Mihali nuk arrin dot ta cilësojë fëmijërinë e tij si të lumtur. Në rrëfimin e tij për “Ka Një Mesazh Për Ty” nga “E Diela Shqiptare” në Tv Klan, ai kujton me dhimbje rritjen e vështirë në Korçë. Babai ishte njeri punëtor, por i alkoolizuar dhe i shkaktonte  shqetësim të madh familjes e sidomos bashkëshortes.

Një mbrëmje, një incident i ndodhur për shkak të pijes e futi familjen në një borxh të madh sa u detyruan të shisnin shtëpinë për ta shlyer.

Mihal: Ai vetëm pinte, s’kishte ditë Perëndie që mos të pinte babai, çdo ditë.

Ardit Gjebrea: Mami ankohej, si e përjetonte këtë moment me babin?

Mihal: Vetëm qante, ishte shumë e stresuar, me sa mbaj mend unë, s’kishin ndonjë zënkë bashkë, tani zënka në familje…

Ardit Gjebrea: Ka gjithmonë, por çfarë nuk kemi dëgjuar nga ata që pijnë.

Mihal: Ishte shumë i qetë babai, kur pinte, vinte në shtëpi e flinte, e kishte këtë.

Ardit Gjebrea: Por punonte?

Mihal: Punonte aq shumë sa nuk e di. Po të mos kishte të pirën, ndoshta tani do të kisha pallatin me 10 kate. Dilte që në mëngjes, dihej orari kur dilte por jo se kur vinte. Shtrohej me shoqërinë, harronte familjaren. Ishte i miri i shoqërisë, i keqi i familjes.

Ardit Gjebrea: Pra ti me ç’ po thua që nëse babai nuk do të kishte pijen, sot do të kishit pallat 10 katësh. Ndërkohë nuk e keni, çfarë ndodhi? Si ishte ekonomia juaj?

Mihal: Ekonomia ishte e keqe sepse shtëpia u shit në vitin ’95.

Ardit Gjebrea: Cili ishte motivi?

Mihal: Babai punonte roje nate në një magazinë ku linin makinat njerëzit. Atë natë kishte pirë dhe mori makinën e dikujt për ta ngarë dhe u përplas, e shkatërroi makinën sa nuk bëhej më, aq keq. U detyrua  mamaja me babanë që të shisnin shtëpinë për t’i dhënë borxhin të zotit të makinës. Ishte ai “i forti i lagjes” kur i thonë, në Korçë.

Mihali tregon se nga ai moment, nisën të jetonin në një shtëpi me qira. Motra e tij u fejua, por kishin shumë probleme familjare. Ai nuk mundi as ta realizonte ëndrrën për të ndjekur studimet e larta. Më pas, i ati u sëmur nga diabeti derisa gjendja e tij u përkeqësua. “Pas ca kohësh, afro 2 vjet mos gaboj, iu agravua aq shumë diabeti sa i preku edhe këmbët. Arriti deri aty sa i hoqën edhe gishtat. U detyrova që  të ikja në Turqi”, rrëfen Mihali.

Në Turqi, Mihali ndenji vetëm 7 muaj pasi nuk mundi të përshtatej. Babai është ndarë nga jeta dhe sot ai jeton me nënën, por planifikon që së shpejti të largohet në Gjermani. Nëna është personi që Mihali ka ftuar në rubrikë duke u shprehur se vuajtjet e saj kanë qenë të papërshkrueshme.“Edhe shkëmb të ishte, do të ishte thërrmuar, do të ishte bërë rërë. Aq shumë ka vuajtur me babanë sa nuk e di”, përmbyll Mihali./tvklan.al

Poll
SHQIPENGLISH