Sociale

1 apo 14 marsi Dita e Verës, tradita pagane që kapërcen shekuj për të “dëfryer” me festat e besimeve monoteiste

Shkruar nga Liberale
1 apo 14 marsi Dita e Verës, tradita pagane që kapërcen shekuj

Nga Laert Miraku

Kush na krijoi? Kjo pyetje ka shoqëruar njerëzimin në periudha të gjata të historisë së vet. Për mijëra vite njerëz të të gjithë popujve janë përpjekur t’i japin një përgjigje. Në rrjedhën e historisë njerëzit kuptuan se shtysa fetare ishte një nevojë e thellësishme për të gjetur një kuptim më të thellë për ekzistencën.

Ka pasur shumë teori rreth zanafillës së fesë. Ajo që të gjitha këto teori pranojnë është se njerëzit gjithmonë kanë krijuar perëndi. Kështu, kur të parët burra dhe gra e panë veten të gjendur përballë rastësisë së fatit të tyre me sëmundje dhe vuajtje, që ka po aq gjasa t’i pikëllonin ata po aq sa edhe gëzimi dhe shëndeti i mirë, kërkuan dhe zbuluan një shpjegim lidhur me këto kthesa të pashpjegueshme të fatit, duke ia veshur këto veprime një hyjnie të largët. Përgjithësisht kjo ide lidhej me “Perëndinë qiell” dhe mendohet se ka filluar të perceptohet rreth 2 milionë vjet më parë. Antropologët dhe studiuesit këtu e kanë fjalën për paraardhësin e njeriut që shkencërisht njihet me termin “Homo erectus”. Gjurmë të ekzistencës së tij janë gjetur në Afrikë ku mendohet se ka pasur fillesat e para kjo specie dhe më pas në Azinë Lindore dhe në ishullin Java në Indonezi. Në vitet ’30 të shekullit XX në brigjet e lumit Solo u gjetën mbetjet fosile të “Homo-erectus”, konkretisht 12 kafka dhe dy kocka këmbësh. Shkencëtarët kanë dalë në përfundimin se “Homo erectus”, mund të përdorte zjarrin për t’u ngrohur, gatuar ushqim dhe nevoja të tjera. Gjithashtu mendohet se ishin të aftë të ndërtonin banesa e të mbuloheshin me rroba primitive të kohës.

Studiuesit mendojnë se këta njerëz jetonin në grupe të vogla me rreth 30 anëtarë. Personat që jetonin në këto grupe mendohet se kishin role të diferencuara. Meqenëse kanë pasur një rend dhe shpërndarje të punëve shkencëtarët mendojnë se këto grupe ose komunitete kanë pasur një sens të qartë të hierarkisë. Shkencëtarët, bazuar në zbulimet e deritanishme kanë dyshime se “homo erectus” i kësaj periudhe ishte i aftë të prodhonte një gjuhë të artikuluar.

Përmes gjuhës ata komunikonin dhe çdo gjeje të mbinatyrshme për atë që nuk kishin dot shpjegim ia faturonin “Perëndisë qiell.” Ndërkohë mendohet monoteizmi zanafillën e tij e ka 14 000 mijë vite më përpara, është llogaritur kjo kohë sepse historianët dhe arkeologët kanë pikasur prova se forcat e natyrës si; era, dielli, yjet, si dhe ato më pak të prekshme, por gjithsesi të ndjera fort, pra qenie apo shpirtra që besohej se ekzistonin në mjedis, ishin personalizuar dhe respektoheshin si perëndi me karakteristika njerëzore.

Nocioni zanafillor për hyjninë u bë më i qartë dhe më i përpunuar në shekujt 800 - 300 para Erës së Re, e njohur në histori si “Epoka Bosht.” Gjatë kësaj periudhe, kërkimi për domethënien në jetë u pa si i shpjeguar më lehtë në figura si Buda, Konfuci dhe Jeromi, të cilët të gjithë ndanin të njëjtën pikëpamje, se ekzistonte një dimension abstrakt ose shpirtëror në qenësinë dhe u përpoqën për të parën herë për ta formuluar atë ide. Koncepti për Zotin e ka zanafillën tek mendja njerëzore, këtë kanë kërkuar që ta provojnë shumë historianë dhe teologë. Antropologu dhe prifti katolik gjerman Ëilhelm Schmidt (1868-1954) botoi librin “Zanafilla e idesë për Zotin” në 12 volume.

Ky vëllim u botua për herë të parë në vitin 1912. Teoria e tij për monoteizmin primitiv trajtonte se në agimin e njerëzimit njeriu formatoi një Zot krijues dashamirës, shpesh i referuar si “Zoti Qiell.”  Ky Zot ishte aq i largët ndaj dilemave të jetës njerëzore, sa dukej e pakuptimtë që të krijoje imazhe për të, ose për ta respektuar me rituale të drejtuara nga burra dhe gra të shenjta. Zoti është përfundimisht i panjohshëm, kjo është shprehur qartë nga të gjitha besimet fetare të cilat na mësojnë se në kërkimin për të njohur Zotin, apo Zotat, ne kërkojmë dhe me besim e gjejmë vlerën dhe kuptimin në jetë. Kjo është në vija të përgjithshme historia se si ka lindur mendimi për Zotin para se në tokë të fillojnë të dokumentohen librat e shenjtë.

Ndërkohë pjesa tjetër, rreth 2500 vitet e fundit është histori. Me të drejtë ndoshta dikush mund të pyes se si kanë filluar besimet tradicionale në trojet shqiptare? Si në të gjithë popujt e tjerë edhe ndër shqiptarët feja e besimi kanë qenë elementë të pandashëm gjatë gjithë historisë se tyre, duke luajtur një rol të rëndësishëm në jetën shoqërore.

Besimi ndër shqiptarë

Përgjatë 20 shekujve të fundit shqiptarët i janë përkushtuar besimeve monoteiste. Nuk duhet harruar fakti se fetë më të njohura të Perëndimit janë monoteiste. Ato kryesore janë të ashtuquajturat fe të Abrahamit: Krishterimi, Islami dhe Judaizmi. Shqipëria duke qenë pjesë e Europës nuk kishte se si t’i shpëtonte ndikimit. Nga historia, nga dituria popullore dhe nga tradita që na është përcjellë në formë tërësisht organike dimë sot që ilirët/arbërit/shqiptarët ishin të vetmit në rajon që e kishin kultin e Diellit për kult qendror! Nuk ishte Dielli as kult qendror i grekëve, as i romakëve, as i fiseve barbare në veri e në jug. Çdo popull që vrojton yjet, natyrën dhe që rregullon jetën shoqërore në bazë të stinëve të vitit (pra, të lëvizjes rreth Diellit dhe cikleve që ky krijon në Tokë) dhe që e ka Kultin e Diellit si kult qendror e kulturë burimore, e ka festën të tijën pa "ia marrë ndonjërit". Në kalendarin Julian 1 marsi ka qenë barasnata verore (vernal equinox) si dukuri astronomike dhe kjo shënonte: 1. ndërrimin e stinës 2. ditën e parë të vitit (për rajone të tëra nga Roma në Indi) Që prej dhjetorit të vitit 1912 Shqipëria përdor në shkallë kombëtare kalendarin Gregorian. Me ndërrimin e kalendarit, 1 marsi julian (kalendari i vjetër), pra barasnata si dukuri astronomike, bie tashmë mbi 21 marsin gregorian (kalendari që përdorim sot). Dukuria astronomike në kohë është po e njëjta, thjesht me ndryshimin e kalendarit dukurisë i përkon sot data 21 mars. Disa krahina duke mos kuptuar psenë e ndryshimit të kalendarëve e festojnë gabimisht festën më 1 mars. Kalendari Gregorian, i quajtur edhe Kalendari Perëndimor ose Kalendari i Krishterë, është ndërkombëtarësh i pranuar dhe i njohur nga institucionet të tilla si Kombeve të Bashkuara dhe Bashkimi Postar Universal. Në fund të viteve 1930 edhe Turqia që kishte hyrë në udhën e modernizimi, hoqi dorë nga kalendari Julian dhe filloi të përdorë kalendarin Gregorian; kjo është edhe arsyeja që shpesh, mes disa njerëzve, Kalendari Julian quhet “allaturka” dhe ai Gregorian “allafrënga”. Nga ana tjetër në kalendarin diellor ilir/shqiptar (dhe të disa popujve të tjerë), për arsye praktike vlerësohet se ka vetëm dy stinë, verë dhe dimër. Stinët nisin me barasnetët (ekuinokset) në mars e shtator, atëherë kur festohet përkatësisht Dita e Verës dhe Dita e Dimrit, dhe arrijnë mesin me solsticet në qershor e dhjetor, atëherë kur festohet përkatësisht Mesvera dhe Mesdimri. Sot festa duhet të riquhet “Dita e Pranverës”, meqenëse sot kemi 4 stinë. Dita e Verës ishte dita e fillimit të vitit sipas kalendarit shumë të lashtë të shqiptarëve, pra një ditë që kremtohej shumë shekuj para se të lindte krishterimi. Dita e Verës si festë qendrore e kultit të Diellit është festë tërësisht shqiptare, autoktone, me traditë, shpjegim, mënyra dhe rite vendase. Fakti që e kanë dhe popuj të tjerë është normale, për sa kohë ka dhe popuj të tjerë që kuptojnë ndikimin dhe dobinë e Diellit për jetën tonë, por kjo nuk do të thotë se ia kanë marrë njëri-tjetrit. Ajo kremtohej me 1 mars të kalendarit Julian, ditën e parë të vitit të ri (sipas kalendarit Gregorian, "14 mars"). Ajo ishte një festë mbarëshqiptare, që kremtohej si në Veri edhe në Jug, por me nuanca të ndryshme, sipas krahinave.

Përshkrimin Faik Konicës për Ditën e Verë: Ç’është Dita e Verës? Është dita në të cilën stërgjyshërit tanë, kur s’kish lindur edhe krishtërimi, kremtojin bashkë me Romanët dhe me Grekët e Vjetër, perëndit’ e luleve, të shelgjeve, të krojeve.Kur çkrin dimëri, kur qaset Vera buzëqeshur e hollë dhe e gjatë si në piktyrë të Botticelli, zemra e njeriut çgarkohet nga një barë, shijon një qetësi, një lumtësi t’ëmblë. Në këtë gëzim, stërgjyshërit t’anë ndiejin një detyrë t’u falen perëndive që sillnin këto mirësira. Dhe ashtu leu festa hiroshe që quajmë Dit’ e Verës.

Pse ngjajnë festimet pagane të Ditës së Verës me Pashkët dhe Novruzin?

Kjo ndodh sepse në përpjekjen për asimilin e festave pagane, pjesa më e madhe e korpusit festiv të Ditës së Verës është vjedhur apo është përpjekur të asimilohet dhe është futur në festën e Pashkëve. Vetë veza e kuqe e Pashkëve që është simbol i pjellorisë (vezore me gjak) dhe një nga simbolet e festës së Verës, i është marrë paganizmit dhe është keqinterpretuar qëllimisht, ashtu si dhe shumë të tjera (si p.sh. "ngjallja e Krishtit", që është pikërisht "ngjallja e Diellit" dhe lidhet drejtpërdrejt me ringjalljen pranverore të natyrës në Tokë, prandaj dhe bëhet interpretimi i pjellorisë), për të zhveshur dhe zhdukur festimet tona burimore pagane, duke luajtur me datat, e duke bërë reçel perandorish me kulturat e kombeve. E njëjta gjë ka ndodhur dhe në bektashizëm me festën e Novruzit ("Nov-ruz" është persisht Viti i Ri, që festohet tradicionalisht në Iran/Persi), të cilat festime të bektashinjve shqiptarë janë në tërësinë e tyre festime pagane të Ditës sonë të Verës, por që janë kamufluar gjatë pushtimit osman duke hyrë nën "Novruz". Pra festimet shqiptare të Ditës së Verës, shqiptarët që u konvertuan në bektashinj vazhduan t'i festonin gjatë Novruzit, i cili lejohej nga administrata turke. Bektashinjtë e kanë pranuar shpesh se festimet e Novruzit i bëjnë sipas festës pagane shqiptare dhe s'kanë lidhje me festimet perse/turke. Vitet e fundit "Dita e Verës" është bërë me të vërtet një festë mbarëkombëtare, ku festohet masivisht nga të gjithë shqiptarët pa dallim moshe, besimi fetar dhe krahinor. Kjo tregon se shqiptarët edhe në festa janë të bashkuar, si një trung i vetëm duke treguar se janë një komb i vetëm dhe që kanë vetëm një identitet, atë shqiptar, i cili rrjedh nga qytetërimi antik Ilir, ndër më të vjetërit jo vetëm në Ballkan por edhe në Evropë. Dita e Verës e vërteton këtë lidhje, sepse vetë "Dita e Verës" është shumë e lashtë për nga koha e kremtimit dhe mënyra. Është festë pagane që rrjedh nga lashtësia dhe që është ruajtur me shumë fanatizëm deri në ditët tona. Natyrisht që nga fillimet e kremtimit të saj deri sot, kohët kanë ndryshuar dhe për rrjedhojë edhe mënyra e festimit, por forma e saj bazë është po e njëjta, ka qenë dhe mbetet një festë pagane, me origjinë dhe traditë shqiptare dhe që i dedikohet stinës së pranverës, me të cilën rigjallërohet gjithçka pas një gjumi të lodhur dhe të gjatë dimëror. Tashmë kjo festë është bërë edhe ditë kombëtare pushimi. /Liberale.al/

*Shënim: Pjesët me të pjerrëta (italic) nuk janë mendime të ardhura nga studime të autorit, por ndihmojnë në zbardhjen dhe hedhjen dritë se përse ka shqiptarë qe festojnë Ditën e Verës më 1 mars.

*Shkrimi i botuar për herë të parë më 1 mars 2023

Poll
SHQIPENGLISH