Kreu i KQZ-së, Ilirjan Celibashi votoi mesditën e sotme në shkollën “Kushtrimi i Lirisë” në kryeqytet. Qendrat e votimit do të qëndrojnë të hapura deri në orën 19:00
Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve ka publikuar të dhënat e para sa i përket pjesëmarrjes në zgjedhjet e 11 Majit deri në orën 14:00.
Sipas asaj që raporton KQZ pjesëmarrja deri në orën 14:00 është 29.59%. Kryesojnë qarku i Tiranës dhe Dibrës për numrin më të lartë të pjesëmarrjes.
Ndërkohë raportohet për pesë të ndaluar pasi fotografuan votën.
Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, ka mbajtur një deklaratë për media nga ambientet e jashtme të një qendre votimi në Bashkinë e Vorës, nga ku dhe më herët pati disa incidente.
Celibashi u shpreh se në përgjithësi procesi i votimit ka qenë pozitiv, referuar kështu dhe përdorimit të pajisjeve të identifikimit elektronik.
“Jemi në Vorë për të parë nga afër ecurinë e procesit në këtë bashki. Nga komunikimet që patëm me anëtarët e KZAZ, duket që procesi zgjedhor është duke shkuar mirë, të paktën për aspektin e përdorimit të teknologjisë, si për pajisjet e votimit elektronik si për të identifikimit. E në ato 2-3 qendra votimi që vizituam, konstatuam që nuk ka probleme”, tha Celibashi.
Të drejtën e votës e kanë 3 milionë e 713 mijë shtetas shqiptarë, prej tyre rreth 246 mijë janë regjistruar që të votojnë nga jashtë.
Rreth 115 mijë zgjedhës votojnë për herë të parë. Në të gjithë Shqipërinë janë 5225 qendra votimi.
Këto janë zgjedhjet e 11-ta në Republikën e Shqipërisë, pas ardhjes së demokracisë dhe në garë janë 2.046 kandidatë, për 140 vende në parlament.