Kreu i qeverisë, Edi Rama, pasditen e kësaj të diele ka zhvilluar një takim me gratë dhe vajzat e Kamzës. Rama tha se Kamza është shembulli më i mirë për të treguar se ku duhet të shkojë vota, me ndryshimet që ka pësuar nën drejtimin e kryebashkiakut socialist Rakip Suli.
Ndaj, ai bëri thirrje, që më 11 maj, vota të shkojë për të ardhmen.
Rama: Kjo bashki ishte fortesa e burrave, e zhytyr në llum dhe në këtë vijë ku sot është një bulevard i mbushur me gra dhe vajza dhe deri dje ishte një kanal, ku baballarët mbanin në krah fëmijët për t’i çuar në shkollë. Kamza ka ndryshuar shumë dhe mjafton të shikosh si ka ndryshuar bashkia, administrata, falë një burri që e ka kuptuar që në krye të herës, Rakip Suli. Sot ne jemi këtu në një qytet që mund t’i thuhet qytet pa pasur frikë se dukesh qesharak. Si mund t’i thoshe Kamzës qytet, atëherë kur i vinte turp njerëzve të thoshin “Jam nga Bathorja”.
Sot kjo është një e shkuar sepse me guxim Kamza zgjodhi rrugën e të ardhmes dhe parafytyrojeni pak sikur ta kishte zgjedhur këtë rrugë në 2011 se ku do ishte sot. Kamza është vendi ku kush nuk e kupton akoma sa e rëndësishme është vota, mjafton të shikojë votën. Kur vota shkon për të ardhmen dhe kur vota shkon për të shkuarën.