Politikë

SHIFRA E DITËS: 172 mijë votues për herë të parë më 11 maj 2025 dhe oferta politike më e vjetër se mosha e tyre!

Shkruar nga Liberale

SHIFRA E DITËS: 172 mijë votues për herë të parë

Aranit Muraçi

Në zgjedhjet e 11 majit janë rreth 172 mijë të rinj që do të votojnë për herë të parë dhe vota e tyre, nëse do t’ju drejtohen kutive të votimit duhet të jetë përcaktuese. Por nga atmosfera dhe kushtet e krijuara ashtu si vota e të rinjve që do të votojnë për herë të parë dhe vota në përgjithësi e diasporës nuk pritet të ndryshojë të paktën dy-polaritetin partiak që mbizotëron prej tri dekadash në Shqipëri.  

Edhe pse dy partitë e mëdha do të kërkojnë votën e tyre për të marrë një mbështetje më të madhe, sikurse partitë e vogla duan që të bëhen faktor, nisur nga përvoja e zgjedhjeve të fundit kjo pritet të jetë ndoshta grup-mosha më e madhe që do të refuzojë votimin.

Dhe kjo grupmoshë ka arsye.

Kur Kryeministri aktual Edi Rama u bë kryetar i PS-së, ata nuk kishin lindur ende. Në zgjedhjet e 11 majit për të fituar mandatin e katërt radhazi, partisë në pushtet do t’i duhet edhe vota dhe mbështetja e tyre.  

Kur kryetari i opozitës, Sali Berisha, erdhi në pushtet për herë të dytë në vitin 2005 ata nuk kishin lindur ende. Por për një rikthim të tretë në qeverisje, ndoshta i duhet më tepër kryetarit të opozitës mbështetja e tyre.   

Më konkretisht në zgjedhjet e 11 majit janë rreth 172 mijë të rinj, (171.878 votues) që votojnë për herë të parë, nga të cilët mbi 57 mijë (57.098 votues) mbushin moshën 18 vjeçare të të drejtës për votim ditën e zgjedhjeve, ndërsa të tjerët e arritën atë moshë në kohën mes dy zgjedhjeve (114.780 votues). Në regjistrat zgjedhorë gjendën afro 3.7 milionë votues, ndërsa jo-zyrtarisht besohet se afro gjysma e tyre jeton jashtë Shqipërisë.

Deri tani janë miratuar afro 150 mijë kërkesa për votim nga jashtë, kryesisht nga Italia, Greqia, Gjermania, SHBA-ja, Mbretëria e Bashkuar dhe Franca, ndërsa mbi 36 mijë e 200 kërkesa janë refuzuar për pasaktësi në dokumente, megjithë teknologjinë e lartë e të shumëllojshme për t’ua lehtësuar këtë proces.

Si krahasim, 107,024 të rinj kishin të drejtë të votonin për herë të parë në 25 prill 2021. Krahasuar me grup-moshat e tjera në zgjedhjet e kaluara votuesit për herë të parë ishte edhe grup-mosha që refuzoi më masisvisht votimet.

Sipas të dhënave zyrtare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ishin 3,588,869 shtetas shqiptarë me të drejtë vote që u tegjistruan automatikisht në listat e votuesve në zgjedhjet e kaluara. Ndryshe nga zgjedhjet e 11 majit 2025, katër vjet më parë diaspora nuk kishte të drejtë vote.

Zgjedhjet  e fundit vendore në Shqipëri shënuan një pjesëmarrje më të ulët se zgjedhjet parlamentare.  Vetëm 37,79% e shqiptarëve zgjodhën që në 14 maj t'iu drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur 61 krerët e rinj të bashkive. Në këto zgjedhje të rinjtë kanë pasur interes të ulët për votimet, duke i braktisur masivisht. Nga 122,545 zgjedhës që votonin për herë të parë më 14 maj, sipas të dhënave të raportuara në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, vetëm 16 628 prej tyre ose 13.5% e kanë ushtruar të drejtën e votës në ditën e 14 majit.

Në zgjedhjet e 11 majit 2025 vlerësohet se gati gjysma e votuesve jetojnë jashtë vendit. Dhe po gjysma e atyre që do të votojnë për herë të parë jetojnë në diasporë. Gjatë dekadës së fundit shumë fëmijë që kanë lindur në Shqipëri janë larguar dhe janë bashkuar me të atin emigrant, përmes bashkimit familjar. Vlerësohet se si ata të cilët jetojnë në Shqipëri dhe do të votojnë për herë të parë, ashtu sikurse edhe ata të cilët do të votojnë nga diaspora, “bindjen” pritet ta krijojnë kryesisht përmes dëshirës dhe rekomandimit të prindërve. Një pjesë e mirë pritet të votojnë nga kurioziteti, duke mos u vetprivuar nga e drejta kushtetuese pavarësisht zhgënjimit që mund të kenë pësuar prindërit e tyre, me votën në të kaluarën. Vota e shqiptarëve të diasporës shihet më tepër si një nder për të afërmit ose të njohurit që mbajnë ndonjë post partiak në Shqipëri, por jo si bindje për të ndryshuar dypolaritetin. Në kushtet aktuale vota e votuesve për herë të parë pritet të favorizojë partinë në pushtet.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH