Politikë

REAGIMET e deputetëve demokratë që u lanë jashtë listave të sigurta nga Berisha

Shkruar nga Liberale

REAGIMET e deputetëve demokratë që u lanë jashtë
Deputeti Dashnor Sula, pak para mbylljes së afatit të depozitimit të listës së kandidatëve për deputetë, zgjodhi të sfidojë Partinë Demokratike, ku ka milituar prej dekadash, duke vendosur të garojë me formacion tjetër politik në garën e 11 majit.

"Falënderoj z. Adriatik Lapaj, z. Endri Shabani dhe z. Pano Soko, të cilët ma dhanë këtë mundësi. Partia Demokratike nuk ka hallin për fitoren e datës 11 maj, por ka hall 12 majin, se si do të dalin dhe si do ta mbahet peng Partia Demokratike brenda një bunkeri, i cili është mbyllur tani," deklaroi z. Sula jashtë ambienteve të Kuvendit në nisje të seancës plenare.

Ferdinand Xhaferaj e ironizon koalicionin opozitar.

"Koalicioni i drejtuar nga burrat e shtetit, Selami Jenisheri, Sali Berisha dhe Kujtim Gjuzi janë kthyer në tmerr për Edi Ramën," tha z. Xhaferaj.

Ndërsa deputetet Dhurata Çupi dhe Jorida Tabaku, të mbetura jashtë listës së mbyllur, thonë se nuk janë të qejfmbetura dhe se janë të vendosura të vijojnë betejën.

"Më 11 maj do të duhet të fitojë Partia Demokratike, të fitojë opozita, programi i opozitës, për vendin, për Partinë Demokratike, për qytetarët, për Shqipërinë," u shpreh znj. Çupi.

"A mendoj unë që e meritoja të isha në listën e mbyllur? Me shumë modesti them që e meritoja, se besoj që jam një figurë përfaqësuese e qytetit të Tiranës. Unë i kam fituar të gjitha betejat në Partinë Demokratike. I kam fituar të gjitha betejat në parlament dhe do ta fitoj edhe këtë betejë për të gjithë demokratët që më votuan në primare," deklaroi znj. Tabaku. Deputetja demokrate ishte pjesë e procesit të primareve në qarkun e Tiranës dhe më e votuara nga femrat.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH