Kryeministri Edi Rama teksa PS po përgatitet për hapjen e fushatës iu përgjigj edhe disa prej pyetjeve të bëra në lidhje me deklaratat e dhëna pas arrestimit të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj më 10 shkurt nga SPAK dhe akuzave të opozitës.
Ai u shpreh se kritikat e tij kanë qenë të zëshme për atë moment dhe vend dhe janë bërë, por mohoi se ajo ishte retorikë e ashpër ndaj Drejtësisë.
Kryeministri theksoi se fokusi i PS-së tani është fushata e 11 majit, me 30 ditë intensive dhe objektiv marrjen e sa më shumë votave, përtej të majtës dhe të djathtës, pa dallim politik dhe për t’i dhënë mesazh BE-së se shqiptarët e duan anëtarësimin.
Madje kreu i mazhorancës dha edhe mesazh për shqiptarët, që vota që duhej dhënë të ishte më shumë sesa ajo që ka PS-ja, që mesazhi ndaj BE-së të ishte edhe më i qartë.
Arbër Hitaj- Zoti Rama dua t’ju pyes edhe për një tjetër element të rëndësishëm, që ka marrë vëmendjen gjatë kësaj kohe gjatë diskutimeve publike dhe jo vetëm, retorika juaj e ashpër ndaj SPAK dhe drejtësisë së re, deri në krahasime si putiniane në momentet e arrestimit të zotit Veliaj, pastaj një zbutje. Ka një ndryshim, apo çfarë ka ndodhur?
Rama: Nuk kam pasur asnjëherë retorikë të ashpër, unë kam pasur një kritikë të zëshme për ato gjëra që unë kam thënë në atë moment dhe të jesh kritik në mënyrë të zëshme nuk do të thotë fare të kesh retorikë të ashpër dhe as të diskutosh qasjen në tërësi. Kështu që nuk ka ndodhur asnjë gjë, ato kritika që kanë qenë dhe janë bërë, janë bërë dhe kaq. Nuk është ndryshimi i qasjes, nuk ka çfarë të vazhdojë.
Arbër Hitaj: Zoti Veliaj është nën arrest, do jetë një mungesë për Partinë Socialiste në këto zgjedhje apo jo?
Rama: Nuk kemi fare çfarë të diskutojmë tani, ne jemi këtu, në këtë sallë, sot fillojmë zgjedhjet edhe zyrtarisht, procesin, dhe 30 ditë jemi të fokusuar te 11 maji.
Arbër Hitaj: Kur keni përmendur standardet e drejtësisë, e kishit fjalën edhe për këtë që po ndodh në këto momente, pra dalja në publik e përgjimeve...
Rama: Nuk dua të bëj komente të tilla, se s’jemi fare në atë kohë dhe në atë vend, jemi në një kohë dhe vend tjetër. Kur ishim në atë kohë dhe atë vend, i kam thënë opinionet e mia, tani jemi në një vend tjetër dhe në një kohë tjetër. Është koha dhe vendi për t’u marrë me 11 majin intensivisht dhe për të bindur sa më shumë shqiptarët që 11 maji është përtej të majtës dhe të djathtës, është përtej fanellave të partive, është përtej kufijve të të përditshmes politike, sepse më 11 maj duhet të jemi në gjendje t’u themi të 27 vendeve të BE-së që shqiptarët pa një dallim politik, në një shumice më shumë sesa shumica normale e PS-së, po ju japim mesazhin se duam të mbyllim negociatat sa më parë, duam të futemi në Bashkimin Evropian.
Arbër Hitaj- Do kaloj te një tjetër moment i rëndësishëm i fushatës suaj, te pasaporta evropiane. Opozita thotë se Shqipëria do bëhet pjesë e BE-së por për shkak të gjeopolitikës dhe jo për shkak të mirëqeverisjes?
Rama: Normal, patjetër, do bëhet vetë (ironizon opozitën). Ne po rrimë, se do bëhet vetë. E para e punës njëherë këto gjëra nuk ndodhin, se kush flet shumë nuk kupton se si funksionon Bashkimi Evropian. Gjeopolitika ka vetëm një fuqi në këtë mes, që ka hapur derën. Ndërkohë që për të hyrë në atë derë duhet të kryhen të gjitha detyrat, për t’u plotësuar negociatat. Negociatat janë superintensive, ne na është dhënë një kalendar unikal që vjet, ka filluar vjet, na janë dhënë 3 vjet, për t’u mbyllur më 2027. Nuk ka bërë vaki, Mali i Zi negocion që nga 2012, para se ne të vinim në pushtet. Nuk i thotë njeri atyre ‘shiko se keni kaq vite në pushtet dhe nuk na keni futur në BE”. Dhe duhen bërë detyrat. Po nuk u bënë detyrat, nuk ka gjeopolitikë që të fut brenda. Ndërkohë që mund t’i bësh edhe detyrat, dhe gjeopolitika nuk është e mjaftueshme për të të futur brenda. Madje nuk ishte e mjaftueshme politika, interesat ditore të ca vendeve, që të na hapeshin negociatat, ndërkohë që e meritonim t’i hapnin.
E dyta, është pak e sigurt që në rastin hipotetik, është hipotetik se nuk ka për të ndodhur, nëse këneta merr këtu qeverinë, nuk do shkojnë negociatat ashtu siç po shkojnë duke qenë ne. Sepse njerëzit bëjnë sikur e harrojnë, disa bëjnë sikur e harrojnë, disa të tjerë bëjnë sikur nuk ka ekzistuar dhe disa të tjerë bëjnë madje sikur është kthyer në një avantazh, por damka e madhe mu në lule të ballit e ‘bufit të kënetës’ dhe e kolegëve rreth tij nuk shlyhet në sytë e BE-së. Kështu që është një histori që çdo shqiptar i arsyeshëm e kupton shumë thjesht.
Arbër Hitaj- Si është raporti që keni me administratën amerikane?
Rama: Normal fare, shumë e mirë është.
Arbër Hitaj- Keni kontakte?
Rama: Patjetër që kemi kontakte, si nuk kemi!
Arbër Hitaj: Ardhja e Chris LaCivita si këshilltar i PD?
Ka dhe një fallxhor aty në buzë të kënetës që mund të shkojë dhe ta shohë njëherë se mos ndoshta bëmë magji të zezë. Janë qesharake dhe provinciale. Zotëria në fjalë ka vetëm një kapacitet, të një turisti që vjen e shpenzon në Shqipëri, shpenzon para që nuk e di sa ka kushtuar dhe si janë gjetur se duhet të jenë shumë, mbase do e marrim vesh. Këto magjitë me përmbysje, histori, janë të zakonshme që kemi dëgjuar, do përfundojnë me klithmat që na u vodhën zgjedhjet.