Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, i pranishëm prej dy ditësh në Kongresin e Partisë Popullore Evropiane (PPE) në Valencia. Në fjalën e tij, Berisha tha se në prag të zgjedhjeve të 11 majit, e gjithë bota pret fitoren e PD.
Lideri i PD njoftoi se PPE do të miratojë rezolutën e katërt brenda pesë muajsh që dënon qeverisjen e Ramës, duke theksuar se Partia Demokratike ka marrë një mbështetje të plotë nga PPE dhe aleatët ndërkombëtarë në rrugën drejt integrimit europian.
Ai u shpreh me bindje se 74 fitore të forcave të qendrës së djathtë në Europë do të pasohet nga e 75-ta, që sipas tij, do të jetë fitorja e PD në zgjedhjet e 11 majit.
Sali Berisha: Prej dy ditësh, gjendem në Valencia, në punimet e Kongresit më të rëndësishëm që mbahet sot në Europë, Kongresit të PPE, në të cilin marrin pjesë, de facto, udhëheqja më e rëndësishme e kontinentit, kancelari Merz dhe 14 kryeministra të vendeve europiane, presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen dhe një numër i konsiderueshëm komisionerësh, kryetarja e Parlamentit Europian, znj.Metsola, dhe një numër i konsiderueshëm europarlamentarësh marrin pjesë nga delegacionet e të gjitha partive të qendrës së djathtë të Europës, të cilat janë të anëtarësuara në PPE.
Gjatë punimeve të këtij kongresi që i kushtohet kryesisht ndryshimeve të mëdha në Europë dhe në botë të sotme, unë pata rastin, përveç fjalës sime, në të cilën u përqendrova tërësisht në situatën në Shqipëri dhe paraqita para audiencës më të madhe europiane, të vërtetën e trishtë të narkoshtetit të vetëm dhe të parë në Europë, që është narkoshteti i ndërtuar nga Edi Rama, në Shqipëri.
Diskutova gjerësisht përpjekjet e tij për të shndërruar zgjedhjet në fasadë, si dhe dhunën mbi terrorin politik që ai ushtron ndaj forcave opozitare, me qëllimin e vetëm për të marrë një mandat të katërt.