
Kryeministri Edi Rama ka njoftuar se Shqipëria ka marrë dy letra të rëndësishme nga Presidenca Polake e Bashkimit Europian, duke i hapur dy grupe të reja të kapitujve në procesin e negociatave për anëtarësim.
Sipas Ramës, letra e parë është për çeljen e grupkapitullit 3 të negociatave, ndërsa e dyta, për grupkapitullin 2.
Gjithashtu, ai ka përgënjeshtruar fjalën e ish-kryeministrit Sali Berisha në Kuvend i cili tha se, kreu i qeverisë ka shkuar në Durrës për të takuar kryebashkiakun Erion Veliaj.
“Kërkoj rikthimin urgjent të padrinos, që po shkon në Durrës për ti dërguar Troplinin në qeli Veliajt”, tha Berisha.
“Këneta politiko-mediatike paska hapur lajmin e rremë se qenkam nisur të takoj Erionin në Durrës dhe qenkan rreshtuar edhe gazetarët atje. O llum i madh që e mbytët këtë milet me jashtënxjerrjet e shpirtit të kalbur dhe që e vetmja punë që dini është të nxirrni tërë ditën tituj të ndyrë nga goja juaj apo të shtrembëruar e të nxjerrë nga konteksti kur m’i vini në gojën time, e pastaj t’i komentoni në udhëkryqet e rrugaçërive tuaja të natës!”, shkruan Rama në X.
Ai shtoi se “Erioni është në paraburgim dhe më pëlqen a s’më pëlqen mua se si u trajtua rasti i tij, unë nuk jam ju, nuk jam as si ju dhe as si bufi i kënetës tuaj të kuakuakuave. Beteja ligjore e Erionit është beteja e tij dhe e avokatëve të tij, jo e imja dhe e Partisë Socialiste”.
Postimi i plotë
Dje morëm letrën e Presidencës Polake të BE, për çeljen e grupkapitullit 3 të negociatave ndërkohë që në 29 janar kemi marrë letrën për çeljen e grupkapitullit 2, pra për hapjen e dy dyerve të tjera në korridorin drejt sallës së madhe të familjes së bashkuar evropiane.
Sa mbarova fjalën live këtu në kryeministri, ku me ekipin kombëtar të negociatave po prezantojmë edhe për publikun modelin e Inteligjencës Artificiale, i cili sapo ka hyrë në funksion me orë të plota pas testimeve të suksesshme. Ndërkohë këneta politiko-mediatike paska hapur lajmin e rremë se qenkam nisur të takoj Erionin në Durrës dhe qenkan rreshtuar edhe gazetarët atje.
O llum i madh që e mbytët këtë milet me jashtënxjerrjet e shpirtit të kalbur dhe që e vetmja punë që dini është të nxirrni tërë ditën tituj të ndyrë nga goja juaj apo të shtrembëruar e të nxjerrë nga konteksti kur m’i vini në gojën time, e pastaj t’i komentoni në udhëkryqet e rrugaçërive tuaja të natës! Erioni është në paraburgim dhe më pëlqen a s’më pëlqen mua se si u trajtua rasti i tij, unë nuk jam ju, nuk jam as si ju dhe as si bufi i kënetës tuaj të kuakuakuave. Beteja ligjore e Erionit është beteja e tij dhe e avokatëve të tij, jo e imja dhe e Partisë Socialiste.
Kur them duhet një drejtësi që lufton korrupsionin dhe garanton standartet demokratike, unë them ate që besoj e as më shkon mendja të bëj teatër me vizita në burgje apo të bëhem palë në procesin e drejtësisë në çfarëdolloj forme. Sepse unë s’jam këneta dhe Zoti nuk më ka dënuar me zhubrazhgarravitje të surratit, duke më imponuar rolin e bufit të kënetës për të larë haqet e një jete të mbrapshtë publike, si shtatore ambulante turpi nëpër këmbët e dynjasë!
Dhe siç po e sheh në kanale e portale tërë Shqipëria unë jo SPAKUN që nuk e kontrolloj përderisa kam udhëhequr luftën për krijimin e tij si flamur pavarësie në territorin deri dje komplet të pushtuar të drejtësisë, po as nuk kontrolloj një media të vetme.
Po e dini pse?
Sepse them atë që bëj dhe bëj atë që them e s’kam lidhje me maskarallëqet që thoni ju për mua! Si udhëheqësi i forcës më të madhe politike të shqiptarëve e duroj tash sa vite llumin tuaj mbi veten e familjen time, vetëm e vetëm se kam marrë përsipër ta çoj me se s’bën Shqipërinë njëherë e mirë përtej kënetës suaj 100 e kusur vjeçare, duke e ulur si zonjë në tryezën e Familjes së Bashkuar Europiane. Dhe ju nuk do më ndalni dot.