Mes përplasjesh dhe me debate politike është shoqëruar mbledhja e fundit e Këshillit Bashkiak në Durrës, ku u diskutua ndryshimi i kategorisë së një sipërfaqeje pyjore në Gjirin e Lalzit për ndërtimin e kompleksit turistik “Lura 5”.
Ndërsa e djathta kundërshtoi betonizimin e vijës bregdetare, e majta argumentoi se projekti do të sjellë zhvillim.
Tre këshilltarë të PD-së votuan kundër, ndërsa PS dhe Partia e Lirisë bashkuan votat duke miratuar projektvendimin me 31 vota pro. Ndërkaq një tjetër pikë që shkaktoi përplasje ishte raporti i monitorimit të buxhetit të vitit të kaluar.
Opozita akuzoi për mosrealizim të shumë zërave buxhetorë, përfshirë rindërtimin dhe fondet për mbetjet urbane. Të dyja forcat kryesore politike akuzuan njëra-tjetrën për dëmet në mjedis gjatë 35 viteve të fundit.
Mbledhja u drejtua nga kryetarja e komanduar Denisa Luarasi, pasi kryetari i këshillit Ani Dyrmishi është në garë për deputet në zgjedhjet e 11 majit./Tch