
Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas tragjedisë në Maqedoninë e Veriut, ku të paktën 51 persona kanë humbur jetën si pasojë e një zjarri në një diskotekë në qytetin e Koçanit mbrëmjen e djeshme.
Shefi i qeverisë shqiptare shpreh ngushëllimet ndërsa thotë se është pa fjalë pas kësaj ngjarje. Ai po ashtu shpreh gatishmërinë për çdo ndihmë të nevojshme.
“Me një ndjenjë hidhërimi të veçantë u përcjell vëllezërve e motrave të Maqedonisë së Veriut ngushëllimet e mia për tragjedinë e madhe të Koçanit. Jam pa fjalë dhe lutem që të lënduarit të shërohen dhe që familjarët e viktimave të gjejnë forcën të përballojnë humbjen e tyre të pangushëllueshme.
I përcjell po ashtu kryeministrit Mickovski dhe autoriteteve të vendit fqinj ngushëllimet në emër të Shqipërisë e shqiptarëve, duke shprehur gatishmërinë për çfarëdoqoftë ndihma jonë mund të jetë e nevojshme”, shkruan Rama.