
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka dhënë një sërë premtimesh gjatë protestës së sotme, nëse PD fiton zgjedhjet më 11 maj 2025.
Duke nisur nga pensionet te rroga mesatare 1200 euro, Berisha shpalosi disa nga pikat e planit të tij elektoral.
Lideri i PD-së nuk la pa sulmuar as kundërshtarin e tij politik, kryeministrin Edi Rama, të cilin e akuzoi se ka mashtruar pensionistët.
Berisha: Ne nuk pajtohemi kurrë me këtë hajdut. Me këtë hajdut që historia e Evropës i ka të rrallë. Dosja McGonigal është arkivoli i hapur i Edi Ramës. I la pensionistët shqiptarë në gjendjen më të mjerë që mund të jenë pensionistët. Shumë prej tyre me pensionin që marrin nuk blenë dot as ilaçet e një jave. Ka tre muaj që kalon nga një skemë në një tjetër për t’i mashtuar. I themi çdo pensionisti, se kurrë, pas 11 majit, asnjë prej jush nuk do të ketë më pak se 200 euro në muaj. Jo vetëm kaq! Çdonjëri prej jush do të ketë kartën e konsumatorit për t’iu kthyer TVSH e cila është e barabartë me 3 pensione. Edi Rama mbaji për vete bonuset dhe mashtrimet elektorale.
Ne do t’i kthejmë TVSH e të gjitha blerjeve ushqimore që bëjnë në një vit. Jo vetëm kaq. Çmime krejt të tjera do kenë për ujë, drita dhe i garantoj ata se kjo përpjekje nuk ndalet derisa të marrin pensionet më të mëdha në rajon. Programi ynë e ka verbuar sepse ai program po nxjerr në dritë të gjitha mashtrimet e tij. Ne ju premtojmë të gjihë punonjësve me rrogë të ulët se në Shqipëri pas 11 majit, brenda 3 muajve nuk do të ketë rrogë nën 500 euro dhe se ky do të jetë pragu me të cilin do të ecim drejt rrogës minimale më të lartë në rajon.
Brenda vitit rroga mesatare do të jetë 1200 euro. Paratë në xhepat e qytetarëve janë më të vlefshme për shoqërinë dhe qytetarin sesa në arkat e shtetit. Biznesi i vogël…mashtruesi ja u ka 10-të fishuar taksat lokale. I garantoj bizneset se pas 11 majit, do përgjysmohen. Energjia do të jetë 3.2 herë më e ulët. Tarifat e sipërfaqeve të sipërmarrjve, të bizneseve do të pjestohen me 3, do të ulen 3 herë. Taksa e sheshtë 10% për bizneset e tjera është zotimi ynë.