Politikë

Masa e sigurisë/ Erion Veliaj debat me prokurorin e çështjes: Mbete i pakënaqur nga lejet e ndërtimit që të dhashë!

Shkruar nga Liberale
Masa e sigurisë/ Erion Veliaj debat me prokurorin e çështjes:

Prej orës 13:30 në GJKKO ka rinisur seanca për verifikimin e masës së sigurisë për kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj, bashkëshorten Ajola Xoxa dhe biznesmenët e akuzuar nga SPAK. Seanca ishte parashikuar të niste në 08:30, por u vonua me gjysmë ore pasi nuk ikën dritat.

Më pas me kërkesë të avokatëve, seanca u shty për në 13:00, pasi kërkuan që të njihen me aktet hetimore, 6 fashikuj.  Në fillim të seancës, para godinës së GJKKO ishin mbledhur mbështetës të shumtë të Veliajt.

“Ti je në konflikt interesi, e ke personale me mua. Më je paraqitur dy herë për leje ndërtimi, ke marrë leje ndërtimi nga ana ime. Pasi ke mbetur i pakënaqur më ke thënë “do ta mbash mend”. Ke dy rrugë, ose të largohesh nga kjo çështje, ose të rreshtohesh me ndërtuesit e tjerë këtu” – mësohet të ketë thënë kryebashkiaku Erion Veliaj, në seancën.

Ndërkohë, burime bëjnë me dije se në nisje të seancës dy prokurorët e çështjes, Olsi Dado dhe Altin Dumani kanë saktësuar se Veliaj nuk është person i dënuar. Erion Veliaj akuzohet për korrupsion në 9 raste dhe pastrim parash, ndërsa bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa për korrupsion në 9 raste, pastrim parash dhe fshehje pasurie. Ndaj biznesmenit Abule rëndon akuza e pastrimit të parave, ndërsa për 5 të tjerët vetëm ajo e korrupsionit aktiv. Prokurorë të dosjes janë Ols Dado dhe Altin Dumani, ndërsa gjyqtar Erion Bani.

Sipas SPAK, Veliaj dyshohet krijoi një skemë korruptive, mes kompanive të bashkëshortes dhe 6 biznesmenë pranë tij. Ajola Xoxa u kthye brenda ditës nga një udhëtim në Itali, për të zbatuar masën e arrestit shtëpiak.

SPAK thotë se Veliaj ka miratuar në çdo rast shpërndarjen e fondeve publike si edhe lejet e ndërtimit tek 5 biznesmenët ndaj të cilëve është caktuar masa arrest me burg. Këto fonde publike më pas kanë përfunduar tek disa organizata jofitimprurëse, shoqëri me përgjegjësi të kufizuar, persona fizikë të kontrolluar de jure dhe de facto nga bashkëshortja e tij, shtetasja Ajola Xoxa, si edhe individë të afërt me këtë të fundit, duke krijuar një rrjet të dyshimtë e të komplikuar transaksionesh. SPAK thotë se përmes 8 bizneseve dhe OJF të Xoxës dhe të Elman Abules u gjeneruan 1.1 mln euro.

Prokuroria e Posaçme thotë se Ajola Xoxa në 6 vite ka blerë online mbi 860 mijë euro veshje dhe bizhuteri, shpenzime të cilat nuk i ka deklaruar. SPAK sekuestroi vilën 494 m2 në Qerret, e ndërtuar nga kompania Agi Kons e ndërtuesit Gentian Sula, 2 llogari bankare të Ajola Xoxës me vlerë 869,149  Euro dhe para të valutave të ndryshme me vlerë 115 mijë euro, të gjetura në një kasafortë, gjatë kontrolleve në një prej bizneseve të Xoxës.

Masat e sigurisë dhe akuzat

Erion Veliaj – Arrest me burg; korrupsion (9 raste) dhe pastrim parash

Ajola Xoxa – Arrest shtëpie; korrupsion (9 raste), pastrim parash, fshehje pasurie

Elman Abule -Arrest me burg; Pastrim Parash

Gentian Sula – Detyrim paraqitje; Korrupsion aktiv

Meriman Palushi – Detyrim paraqitje; Korrupsion aktiv

Fatmir Bektashi -Detyrim paraqitjeje; Korrupsion aktiv

Sokol Kryeziu – Detyrim paraqitje; Korrupsion aktiv (masa nuk është ekzekutuar)

Shkëlqim Fusha – Detyrim paraqitje; Korrupsion aktiv

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH