"Brenda luftës së Elon Musk në Uashington" - kështu titullohet artikulli kryesor i revistës “TIME”
Miliarderi Elon Musk po udhëheq përpjekjet e Presidentit Donald Trump për të bërë shkurtime drastike në shpenzimet e qeverisë federale.
Rolet që ai ka marrë në qeverinë e re amerikane janë aq të shumta sa revista Time e ka vendosur miliarderin në zyrën e presidentit amerikan.
Në kopertinën e Time, Musk është paraqitur në zyrën e presidentit amerikan duke mbajtur një filxhan dhe titulli është “në zemër të përplasjes së Elon Musk me aparatin shtetëror amerikan”.
Musk mori përgjegjësinë për Zyrën e sapokrijuar të Efikasitetit të Qeverisë (DOGE), e cila synon të shkurtojë shpenzimet e qeverisë federale, me qëllim që ta bëjë atë më efikas. Kohët e fundit, Elon Musk tha se synon të mbyllë Agjencinë e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID).
Sipas Time, Elon Musk “ka qenë i autorizuar të çmontojë një pjesë të madhe të burokracisë federale – duke shkurtuar buxhetet, duke zvogëluar shërbimin civil dhe duke hequr aftësinë e agjencive të pavarura për të penguar qëllimet e presidentit”.