Politikë

INTERVISTA/ Flutura Açka flet ekskluzivisht për Liberale.al: Zbulon domethënien e mesazhit të koduar që i tha Gazment Bardhit

Shkruar nga Liberale

INTERVISTA/ Flutura Açka flet ekskluzivisht për Liberale.al: Zbulon

Intervistoi: Reldar Dedaj

Dy burra që s’kanë lënë gjë pa thënë për njëri-tjetrin, sot u bënë bashkë, dhe ju vërsulën një gruaje. Ata janë Gazment Bardhi dhe Flamur Noka. Skena të tilla nuk janë të reja për ata që janë të detyruar të ndjekin zhvillimet politike në vend, por ajo çfarë u konsiderua new, ishte performanca e deputetit opozitar Gazment Bardhi, i cili pengonte kryetaren e këtij komisioni, Flutura Açka, deputete e PD-së, dikur kolege dhe bashkëpunëtore e tij në Elbasan, të zhvillonte seancën. Vetë znj.Açka në një intervistë ekskluzive për Liberale.al tha se betejat politike bëhen në institucione, hapur, në garë. Ajo mendon se PD sot nuk e ka luksin të humbë asnjë demokrat, por me këtë mënyrë të sjelluri i kanë mërzitur demokratët, i kanë neveritur shqiptarët me politikën dhe e kanë devijuar rolin e deputetit të parlamentit shqiptar. Açka ka komentuar edhe mesazhin e koduar që i dha sot Gazment Bardhit në Komisionin e Medias, duke theksuar ndër të tjera, se një natë të vështirë të prillit 2021 ka ndenjur pranë atij djali që të mos e linte vetëm në Elbasan.

Liberale.al: Ajo çfarë ndodhi sot në Komisionin e Medias, sipas jush, ishte një sulm personal apo ndaj institucionit të Kuvendit?

Mund të jetë një gjë e kombinuar, përderisa këtë herë e drejtonin vetë iniciatorët e aksionit. Si guxuarkëka të bëjë ndryshe kjo?! Iniciativa mund të jetë kundër Parlamentit e me synimin për ta mbajtur atë në kaos, por kaloi në ndëshkimin e të pabindurit. Kjo gjë, në syrin tim, është në kufijtë e terrorit dhe nuk ka asgjë, asgjë demokratike. Unë jam e bindur se kjo rrugë e të bërit Opozitë, është një varietet i bojkotit, prej së cilit ne jemi ndëshkuar shumë rëndë. Kjo është arsyeja pse nuk i jam bashkuar këtij lloj aksioni. Por kjo nuk më bën me pak opozitare se kushdo prej opozitarëve që pretendon se është i tillë. Qasjet e mia, denoncimet e mia (dhe të kolegeve të mia të Opozitës në Komision), janë publike, të dokumentuara. Insinuatat personale ishin gjëja më e rëndë që mund të ndeshja, kjo formë e të bërit politikë me intimidime personale, është një nga format më të turpshme të të bërit politikë që kam ndeshur në Parlamentin shqiptar. T'ia veshësh inatin personal, politikës. T'ia veshësh hallin personal, grupit. T'ia veshësh urrejtjen tënde, të tjerëve. I kam ndenjur larg dhe do t'i rri larg kësaj mënyre të të bërit politikë.

Liberale.al: A mund të na shpjegoni ju lutem se çfarë e mban ndezur konfliktin sot brenda opozitës, pasi një grup deputetësh të atashuar me Berishën, duket se problemin më të madh e kanë me kolegët e tyre, sesa me mazhorancën qeverisëse?

Në të vërtetë, me këtë lloj shtypjeje jam ndeshur qysh në krye. Nisi me konfliktin me foltoren, dhe tani me foltore&Co. Po, a nuk jemi po ata, me të cilët, vetëm para disa muajsh ke qenë bashkë? Ne harxhojmë kaq shumë energji kundër njëri-tjetrit, sa ndonjëherë habitem se si mund të rrinë bashkë politikisht e të quhen një formacion politik njerëz që janë gati të theren. Kjo politikë: ose me mua, ose kundër meje, duhet të marrë fund. E kam bërë të qartë shpesh publikisht, dhe më lejoni që ta përsëris edhe në radhët tuaja: unë jam deputete e Partisë Demokratike, nuk kam lëvizur dhe respektoj institucionin. Ftesave për të dalë jashtë në rrugë e për t'i gjuajtur nga atje formacionit politik për inate personale (të veshur me politikë) nuk iu përgjigjem. Betejat bëhen në institucione, hapur, në garë. Ne nuk e kemi luksin të humbin asnjë demokrat, por me këtë mënyrë të sjelluri i kemi mërzitur demokratët, i kemi neveritur shqiptarët me politikën dhe e kemi devijuar rolin e deputetit të parlamentit shqiptar. Nga jashtë nuk e kuptoja dot se përse shqiptarët e kishin këtë krupë ndaj politikës. Tani e kuptoj. Ndaj do të kundërtën e asaj që ka bërë politika deri tani. Të bëjmë politikën njerëzore dhe për njerëzit.

Liberale.al: Ju dhe Gazment Bardhi keni qenë bashkëpunëtor të ngushtë në fushatën elektorale të prillit të 2021 për qarkun e Elbasanit, çfarë nënkupton sot për ju, ky incident kaq i shëmtuar?

Me zotin Bardhi jam njohur pak ditë para fushatës elektorale dhe kemi bërë një betejë të ashpër në Elbasan, mes bandave. Mund të mos kem marrë vota aq sa ata, me një llaf ata politikëmbëdhenjtë, por kam ndier përgjegjësi të lartë politike. Unë nuk kam ndryshuar, nuk kam pasur asnjë arsye për të ndryshuar, në mos e kam njohur më mirë politikën dhe e mbroj më mirë veten politikisht. Tani nuk po e njoh zotin Bardhi, arsyet e këtij ndryshimi nuk i kuptoj. Do ta tregojë koha. Nëse u kujtua të bëjë opozitë tani, kam një pyetje të thjeshtë: Po një vit e kusur çfarë bëri, në atë vit kur me pafajësinë time politike kam kërkuar paprerë se pse nuk po lëviznim, se pse nuk po takonim demokratë, se pse nuk po bënim punën? Ky lloj privatizimi i imponuar i opozitës, po na mban të ndarë dhe po ia bën Edi Ramës të lehtë punën.

Liberale.al: Në debatin e shkurtër që transmetuan mediat, u krijua bindja se ju i dhatë një mesazh të koduar z.Bardhi, specifikisht, ju thatë: “Ti e di shumë mirë me Flutura Açkën çfarë mëkatesh ke...” Çfarë po i thonit me këtë fjali?

Për të gjithë sjelljen e tij personale ndaj meje. Unë di një gjë: një natë të vështirë të prillit 2021 kam ndenjur pranë atij djali që të mos e lija vetëm në Elbasan. Nuk e njihja, por e bëra si detyrimi politik e njerëzor për djaloshin, për politikanin, për liderin. Në më qëlloftë mua një natë e tillë ankthi, zoti Bardhi nuk do ta kalojë dot provën. E dha sot shembullin. Ndoshta ky është edhe ndryshimi, ku fshihen edhe mëkatet. Politike, por që mbajnë erë njerëzore./Liberale.al/

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH