Kreu i PD Sali Berisha ishte i pranishëm mbrëmjen e së shtunës në qytetin e Pogradecit ku prezantoi kandidatët e koalicionit “Aleanca për Shqipërinë Madhështrore” në qarkun e Korçës.
Në fjalën e tij ai theksoi sërish se pas 11 majit me ardhjen e demorkatëve në pushtet ekonomia e shqiptarëve do të ndryshojë. Berisha premtoi ulje të çmimit të naftës, energjisë elektrike si dhe rritje të pagave dhe pensioneve.
“Projekti me të cilin ne, zhdukim brenda 100 ditëve varfërinë ekstreme dhe mjerimin nga Pogradeci
Vendosim minimumin jetik 200 euro, për çdo pensionist me pension të plotë apo të pjesshëm që merr, ndën 200 euro. Dhe këta janë mbi 560 mijë burra dhe gra. Vendosim minimumin jetik për të gjithë shqiptarët në ndihmë ekonomike, për të gjithë ata që nuk kanë marrë kurrë në jetën e tyre pension, për të gjithë shqiptarët e papunë, për të gjithë studentët me bursë, për të gjithë fëmijët e familjeve me një prind.
Pra në radhë të parë, ne me zemër në dorë ju kthejmë paratë shqiptarëve.
Vendosim rrogën minimale 500 euro. Vendosim kartën e konsumatorit me të cilën, çdo rrogëultë, çdo pensionist, çdo qytetar me minimumin jetik, do të marrë ushqimet dhe gjërat bazë, me çmim 20% më lirë se qytetarët e tjerë.
Vendosim listën e rimbursimit 100% të barnave, identike, një për një me listën që ka sot Republika Italiane.
Vendosim në 100 ditët e para që në Shqipëri nuk do mund të shitet kurrë, litra e naftës më shumë se +-10% e çmimit të saj në Maqedoni apo në Kosovë, pra një naftë 40% më lirë.
Vendosim mbrojtjen e plotë të prodhimeve bujqësore në sezon.
I garantoj fermerët e Pogradecit se prodhimet e tyre do të mbrohen plotësisht dhe se ata do të subvencionohen do të marrin për çdo fidan të mbjellë, për çdo kokë bagëti të mbarshtruar, për çdo njësi prodhimi 5-fishin e saj që marrin sot si subvencion”, tha Berisha.