Vëllai i Jan Prengës, i cili u rrëmbye dhe u vra në janar të vitit 2020, ka dëshmuar këtë të premte në GJKKO, ku rrëfyer detaje rreth telefonatave që mori kur ndodhej në burg në Angli, nga një person që iu prezantua si Gentjan Funiqi.
Ndrek Prenga ka rrëfyer se në vitin 2020 ka qenë në burg në Londër dhe se çdo ditë kishte kontakte me familjarët, gruan dhe fëmijët, me të cilët komunikonte përmes telefonit të burgut.
Ai rrëfeu para togave të zeza se me vëllain e tij Jan Prenga, trupi i të cilit ende nuk është gjetur, ka folur rreth një javë përpara se të rrëmbehej dhe më pas të vritej.
“Një shtetas me ngjyrë më ka futur në dhomë një telefon të tipit “Iphone”, me anë të së cilit ka telefonuar një person me prefiks të huaj, duke u prezantuar si Gentjan Funiqi”, tregoi Ndrek Prenga, duke shtuar se ky i fundit i tha se ishte me origjinë nga Dukagjini i Shkodrës.
“Më tha që: ‘Ma jep gjënë’,”– rrëfeu Prenga dhe sipas tij Gentjan Funiqi i referohej sasisë prej 260 kilogramë kokainë që rezultonte e humbur dhe dyshohej të ishte vjedhur nga vëllai tjetër i tyre, Astrit Prenga së bashku me mikun e tyre të familjes, Gëzim Shullani, një shtetas rumun dhe një shtetas shqiptar që quhet Xhulian.
Mësohet se gjatë dëshmisë, Ngrek Prenga shtoi se Gentjan Funiqi, gjatë bisedave, i kishte thënë se kishte tentuar të komunikonte edhe me vëllain tjetër, Astritin, por nuk kishte arritur. Pas këtij mesazhi, Ndrek Prenga iu është përgjigjur se nuk ishte në dijeni se për çfarë bëhet fjalë.