SPAK ka dhënë pretencën për Rexhep Rapin i njohur dhe si Kep Arapi, nipin e tij Algert Rapin dhe ish-shefin e krimeve në policinë e shtetit Dedan Gjoni.
Për Kep Arapin SPAK kërkon dënimin e tij me 7.6 vite burg, por për shkak të gjykimit të shkurtuar u kërkua dënimi me 5 vite heqje lirie, për Algert Rapin nga 7.4 vite burg u kërkua dënimi me 4.8 vite heqje lirie.
E njëjta kërkesë u lexua nga SPAK në pretencë edhe për Dedan Gjonin, ish-shefin e krimeve në komisariatin nr. 6 dhe Dejvi Gjermenin, për të cilët po ashtu u kërkua dënimi me 4.8 vite burg me gjykim te shkurtuar.
Këta shtetas akuzohen për kryerjen e veprave penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, në dëm të shtetasit Xhevdet Kiss (Plaku), kryer në bashkëpunimin e posaçëm të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”.
Ky hetim i SPAK nisi mbi bazën e informacionit të përcjellë nga Prokuroria e Rrethit Limburg, Holandë.
Nga hetimet SPAK pretendon se është provuar se Rexhep Rapi dhe shtetasi Xhevdet Kiss (Plaku), kanë pasur një konflikt për shkak se, në vitin 2000 në qytetin e Savona-s të Italisë, është vrarë me armë zjarri shtetasi Sali Rapi (i datëlindjes 21.05.1968, lindur në Durrës), i cili rezulton të jetë familjar i shtetasit Rexhep Rapi.
Vrasja e shtetasit shqiptar Sali Rapi, u dyshua se është kryer nga shtetasi Xhevdet Plaku dhe shtetasi B.P., të cilët dhe janë arrestuar në lidhje me këtë ngjarje. Në datën 04.04.2014, shtetasi Xhevdet Kiss (Plaku), është shpallur i pafajshëm nga Gjykata e Savona-s, Itali.
“Në shenjë hakmarrje të vrasjes së shtetasit Sali Rapi, Rexhep Rapi është organizuar në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal, me qëllim vrasjen e shtetasit Xhevdet Plaku. Krijuesi i grupit të strukturuar rezulton, se është i pandehuri Rexhep Rapi, i cili për shkak të dështimit në tre raste të mëparshme për të vrarë shtetasin Xhevdet Kiss (Plaku), konkretisht dy herë në Durrës dhe një herë në Tiranë, për shkak të hasmërisë, ka krijuar këtë grup me qëllim vrasjen e Xhevdet Kiss (Plaku), ku në përbërje (pjesëmarrës në grup) kanë qenë lidhje familjare Algert Rapi (nipi i tij), Dejvi Gjermëni, Dedan Gjoni dhe i ndjeri Fatjon Dervishi (Toqe/Tole) (për të cilin nuk mund të fillohet procedim penal, pasi është vrarë pas një atentati me armë zjarri më datë 27.09.2023, në Sukth, Durrës)”, pretendon SPAK.
Gjithashtu nga hetimet e SPAK rezulton, se shtetasi Xhevdet Kiss (Plaku), në datën 17.09.2019, është shoqëruar në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës. Pas shoqërimit të tij, Dedan Gjoni, ka komunikuar me të pandehurin Dejvi Gjermeni, të cilin e ka njoftuar mbi faktin e ndalimin të shtetasit Xhevdet Kiss (Plaku).
Më pas, Dedan Gjoni, i ka dërguar të pandehurit Dejvi Gjermeni, foton e shtetasit Xhevdet Plakut, dhe një mesazh ku e informon që do të dilte në orën 20:00, nga dera e pasme e Rajonit të Policisë. Këtë informacion, Dejvi Gjermeni ia ka dërguar më pas të pandehurit Algert Rapi, lidhje e ngushtë familjare (nipi) e shtetasit Rexhep (Kep) Arapi. Pas njoftimit Dejvi Gjermëni, i ka dhënë të pandehurit Algert Rapi, Rexhep Rapi (Kep Arapi) është organizuar me njerëzit e tij, për të kryer vrasjen e shtetasit Xhevdet Plaku, duke i dalë në pritë.
Vrasja nuk është kryer, pasi Gjermeni ka pasur frikë, se informacioni i dërguar përmes aplikacionit mund të zbulohej më vonë, dhe për këtë arsye i ka thënë të pandehurit Algert Rapi, që i pandehuri Rexhep Rapi të largohej, pasi Xhevdeti nuk ishte më në rajon, sepse e kishin liruar.