Mjeku radiolog Pëllumb Hysko i cili shërben në spitalin “Shefqet Ndroqi”, por edhe në një klinikë private, është pezulluar nga detyra, bashkë me tekniku laborant Artur Zeko. Lajmi është bërë me dije nga një deklaratë në Facebook nga spitali “Shefqet Ndroqi”.
Pezullimi i mjekut radiolog nga detyra vjen pas një skandali me një paciente në ambientet e spitalit Shefqet Ndroqi, të cilën e ka ngacmuar seksualisht.
Spitali “Shefqet Ndroqi” thotë se ka nisur edhe një hetim disiplinor për radiologun dhe gjithë punonjësit e e përfshirë në këtë rast të paprecedent.
"Pas publikimit të rastit tronditës në emisionin “Stop”, mjeku radiolog Pëllumb Hysko dhe tekniku laborant Artur Zeko janë pezulluar menjëherë nga detyra. Drejtuesit e spitalit kanë urdhëruar fillimin e një hetimi disiplinor dhe të Këshillit të Etikës për të gjithë punonjësit e përfshirë në këtë rast të paprecedent.
Ne dënojmë me ashpërsinë më të madhe çdo sjellje abuzive me pacientët. Abuzimi seksual është jo vetëm një veprim kriminal, por një shkelje e rëndë e besimit dhe etikës mjekësore, së cilës i jemi përkushtuar. Të gjithë ne mjekët dhe punonjësit e Spitalit “Shefqet Ndroqi” jemi thellësisht të tronditur, të tradhtuar dhe të revoltuar nga veprimet e kolegëve tanë. Por, duam të sigurojmë qytetarët se do të vijojmë të qëndrojmë në mbrojtje të shëndetit, dinjitetit dhe mirëqenies së tyre", thuhet ndër të tjera në deklaratë.