Një ditë më parë ka ndodhur një sherr mes fisit Sallahu dhe fisit Jaku, ku anëtarët e familjeve janë zënë me shkopinj, ndërsa sot viktima 34 vjeç është gjetur i vrarë me pushkë.
Nga hetimet e para zbulohet shkaku i vrasjes së 34-vjeçarit Ryshyt Sallahu në Has, ngjarje e ndodhur këtë të mërkurë ndërsa autori i dyshuar i krimit është Ylber Jaku, 41 vjeç.
Dyshohet se dy ditë më parë, viktima Ryshyt Sallahu, së bashku me 21-vjeçaren A. Sallahu, kanë goditur me mjete të forta shtetasit A. J., 65 vjeç dhe V. J., 60 vjeçe prindërit e autorit të dyshuar të vrasjes së sotme gjatë një sherri për motive pronësie.
Si pasojë e këtij incidenti, 41-vjeçari Ylber Jaku ka vendosur të marrë hak vetëm një ditë më pas, duke qëlluar për vdekje 34-vjeçarin. Trupi i pajetë i Ryshyt Sallahut u gjet brenda makinës së tij në fshatin Pla të Hasit.
Në vendngjarje mbërritën menjëherë shërbimet e Policisë së Hasit dhe Forcat e Posaçme “Shqiponja” të DVP Kukës. Si rezultat i reagimit të shpejtë, u bë arrestimi i menjëhershëm i autorit të dyshuar. Policia sekuestroi gjithashtu armën e zjarrit që dyshohet se u përdor në krim.
Konflikti për motive pronësie mes familjes Jaku dhe familjes Sallahu vijon prej më shumë se 10 vitesh, ndërsa familja Jaku ka bërë mbi 20 kallëzime ndër vite, duke kërkuar zgjidhje për këtë problematikë.
Njoftimi i Policisë
Rreth orës 16:40, në fshatin Pla, shtetasi Ylber Jaku, 41 vjeç, dyshohet se ka vrarë me armë zjarri shtetasin Ryshyt Sallahu, 34 vjeç, për motive pronësie.
Ndërlidhja me ngjarjen e një dite më parë.
Policia njofton se një ditë më parë, të martën, ka ndodhur një konflikt për pronësi në fshatin Pla. Në lidhje me këtë konflikt, u arrestua në flagrancë 21-vjeçarja A. S., nën akuzat për veprat penale “Plagosje e rëndë me dashje” dhe “Plagosje e lehtë me dashje”.
Sipas hetimeve paraprake, gjatë sherrit për pronë, kjo shtetase ka goditur me mjete të forta shtetasit A. J., 65 vjeç dhe V. J., 60 vjeçe (bashkëshortë).
Të dy u dërguan për ndihmë mjekësore; A. J. ndodhet jashtë rrezikut për jetën, ndërsa V. J. vijon të jetë në kujdesin e mjekëve.