Eksperti i ekonomisë Ilir Ciko ka realizuar një studim, ku ka monitoruar 150 produkte konsumi, të zgjedhura rastësisht nga 13 kategori produktesh dhe të shitura në Shqipëri nga tre kompani të mëdha europiane
Sipas studimit të tij, por edhe përvojës së të gjithëve ne, në Shqipëri abuzohet me çmimet, jo vetëm nga bizneset vendase, por edhe nga kompanitë e huaja.
Në fund të studimit, rezultoi se çmimi mesatar i produkteve në tregun shqiptar ishte 79.7 për qind më i lartë se çmimi mesatar i të njëjtave produkte, shitur nga të njëjtët operatorë, në tregjet e Bashkimit Europian.
Në grafik shohim edhe llojet e ndryshme të produkteve dhe sa më shumë paguajnë shqiptarët krahasuar me konsumatorët europianë për të njëjtat produkte, duke filluar nga kozmetika, mobiljet, ushqimet për të rritur dhe fëmijë, detergjentë e deri te ushqimet për kafshët.
Në studim është bërë dhe krahasimi i çmimit të shitjes së produkteve në bazë të vlerës së tyre nga këto tre kompani europiane në vende të ndryshme, përfshi rajonin. Të dhënat tregojnë se të njëjtat produkte, nga të njëjtat kompani shiten shumë më shtrenjtë në Shqipërisë sesa në Serbi, Kosovë, Ukrainë, Hollandë dhe Greqi.
Por pse ndodh kjo? Pse konsumatorët shqiptarë përballen me abuzimet e çmimeve? Dy janë arsyet kryesore: mungesa e funksionimit të institucioneve shtetërore dhe mos reagimi nga ana e tyre në rastin e abuzimeve me çmimet dhe së dyti, politika fiskale e qeverisë. Thënë ndryshe, taksat e larta dhe kryesisht Tatimi mbi Vlerën e shtuar ose TVSH-ja, që njihet edhe si taksa e konsumit.