Tregu mediatik online në vendin tonë gjeneron dhjetra milionë euro, por për shkak të informalitetit dhe kulturës së dobët me detyrimet tatimore, blogerët, artistët dhe influencërët kanë gjetur parajsën. Fitimi i tyre vjetor është gati sa gjysma e fitimit të mediave të tjera tradicionale të marra së bashku. Por si ndryshim nga deri tani të gjithë ata të cilët kanë pasur sukses në rrjetet dhe mediat sociale dhe nuk kanë paguar detyrime, më tej do t'i nënshtrohen tatimit mbi të ardhurat dhe fitimin.
Afati i deklarimi të DIVA-s sipas një njoftimi të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve është shtyrë në 1 prill, për shkak të pushimit zyrtar të ditës së hënë.
Fokusi i tatimeve këtë herë duket se do të jenë të ardhurat e blogerëve nga rrjetet sociale.
Tatimet paralajmërojnë se nga verifikime paraprake me bankat, rezultojnë rreth 33 milionë euro të ardhura nga individët për platformat META, Facebook, Youtube, Google etj. Këta individë kanë tashmë afatin e ri deri në 1 prill t’i deklarojnë këto të ardhura, pasi ndryshe, tatimet do nisin verifikimet dhe ata do të penalizohen për mosdeklarim ose fshehje të ardhurash sipas parashikimeve ligjore.
Janë rreth 144 mijë individë sipas Tatimeve që duhet të dorëzojnë deklaratën e të ardhurave për vitin 2024 me ndryshimet ligjore, ndërsa deri më 27 mars kanë qenë rreth 87 mijë individë tashmë e kishin dorëzuar deklaratën e tyre.
Kush ka detyrim për të deklaruar DIVA?
Dorëzimin e Deklaratës Vjetore të të Ardhurave Personale, DIVA 2024 e kanë të gjithë ata individë rezidentë dhe jo rezidentë, që gjatë vitit 2024:
kanë pagë bruto vjetore mbi 1.2 milionë lekë;
janë të dypunësuar, të paktën për një periudhë tatimore brenda vitit;
realizojnë të ardhura nga burime të tjera mbi 50 mijë lekë në vit për të cilat nuk është mbajtur tatimi në burim,
DIVA 2024, gjenerohet e paraplotësuar automatikisht me të dhënat e të ardhurave vjetore bruto nga pagat apo shpërblimet nga marrëdhëniet e punësimit për individët, si edhe me përllogaritjen e Tatimit mbi të ardhurat nga Punësimi.
Për herë të parë, gjithashtu, duhet të deklarohen edhe të ardhurat nga qiratë përmes platformave si Airbnb dhe Booking, çka pritet të rrisë numrin e individëve që do të raportojnë.
Të dhënat e publikuara nga INSTAT tregojnë se “Aktiviteti i publikimeve dhe prodhimeve të programeve” arriti në vitin 2022 në vlerën e rreth 72 milionë euro ose gati sa gjysma e të ardhurave që sigurin tregu online mediatik, që në pjesën më të madhe operon në informalitet.
Në krahasim me një vit më parë, qarkullimi vjetor i të ardhurave nga mediat tradicionale (TV, gazeta, radio) është rritur me rreth 12%.
Burimi kryesor i të ardhurave të mediave trqdicionale janë shpenzimet për reklama që kryejnë bizneset e ndryshme.
Aktiviteti i publikimeve dhe prodhimeve të programeve punësoi gati 2500 persona në 2022, me një rritje minimale prej 4.5%, sipas të dhënave më të fundit të INSTAT.
Për 10 televizionet që kanë raportuar të dhënat, totali i të ardhurave në 2022 ishte rreth 52 milionë euro, me një tkurrje prej 4.6% me bazë vjetore. Ekspertët besojnë se tkurrja ka ardhur si pasojë e zgjerimit të tregut online.
Televizionet gjenerojnë në këtë mënyrë rreth 72% të të ardhurave të aktivitetit të publikimeve dhe prodhimeve të programeve. Pjesa tjetër shkon për median e shkruar, atë online, radiot.
Në mediat vizive, ose të televizioneve, Klan dhe Top Channel vijojnë të dominojnë, me mbi 60% të totalit të qarkullimit dhe janë të vetmit që raportojnë nivele xhirosh nga 12-18 milionë euro. Për operatorët e tjerë kufiri maksimal është rreth 4 milionë euro.
INSTAT raporton se në 2022, në krahasim me vitin 2011, numri i ndërmarrjeve në Aktivitete të publikimeve dhe prodhimeve të programeve është dhjetëfishuar duke arritur në 552. Rritja ishte e shpejtë që pas vitit 2011, si rrjedhojë e zgjerimit të medias online. Hapja e një portali ishte e lehtë, pasi kërkonte investime minimale.
Numri i tyre është rritur me shpejtësi dhe dy vitet e fundit. Numri i portaleve aktualisht ka shkuar mbi 1 mijë. Një pjesë e tyre janë regjistruar si OJF, të tjera si biznes në media, por ka dhe të paregjistruara.
Pjesa më e madhe e tyre kanë mungesë të theksuar profesionalizmi, madje nuk kanë si qëllim kryesor të afrojnë informacion, ashtu sikurse kanë edhe mbështetje shpesh me burime 'të panjohura financiare.