Ekonomi

ABSURDI i tregut të fruta-perimeve/ Fermerët në faliment, 6 kompani ndanë 150 milionë euro

Shkruar nga Liberale

ABSURDI i tregut të fruta-perimeve/ Fermerët në faliment, 6

Fermerët që merren direkt me prodhimin ankohen se i shesin produktet shpesh nën kosto çka po i çon drejt falimentit. Situata e vështirë e tyre po reflektohet në braktisjen masive të zonave rurale. Konsumatorët ankohen nga ana tjetër për çmimet e larta dhe të papërballueshme në treg. 

Pse ndodh dhe kush fiton nga kjo situatë? 

Denoncimet e shpeshta të fermerëve dhe mediave kanë vënë në lëvizje institucionin e Autoritetit të Konkurencës, sidomos pas inflacionit të lartë që ushqimet pësuan gjatë 2023-shit, si një nga grupet kryesore që u shtrenjtuan më shumë në shportën e përditshme të qytetarëve.

Autoriteti i Konkurencës ka mbledhur të dhëna nga drejtoritë e tatimeve dhe doganave, si dhe ka zhvilluar takime me fermerë dhe vëzhgime në terren në tregje të ndryshme.

Duke marrë të dhënat e plota vjetore për vitin 2022, qarku më i madh për nga numri i xhiros dhe i pikave të grumbullimit dhe shumicës ka rezultuar Fieri, me 53.5% të gjithë totalit, ndjekur nga Tirana me 24% dhe Berati me 10%.

Në Tiranë, Fier dhe Berat sipas AK operonin gjithsej 67 ndërmarrje, ndërsa xhiroja totale e të treja tregjeve të mbledhura bashkë ishte 16.33 miliardë lek.

Por, nga këto tortë e madhe dy deri në tre kompani në secilin treg realizonin deri në 90% të xhiros, duke lënë qarkullim të paktë për të tjerat.

Ndërkohë e njëjta situatë paraqitet dhe për tregjet e Elbasanit dhe Korçës, ku operonin në total 19 ndërmarrje dhe 731 milion lek xhiro, sërish tre ndërmarrje dominojnë mbi 90% të tregut. Këto kompani të grumbullimit dhe shumicës po hetohen për sjellje antikonkurruese dhe në bashkërendim me njëra tjetrën.

AK ka vrojtuar gjithashtu se pikat e grumbullimit i mblidhnin produktet pa çmim dhe faturë, duke bërë që të ketë marrëveshje mes tyre për fiksimin e çmimeve. Këto kompani lëshonin fatura fiktive për të shmangur detyrimet tatimore.

Deri te konsumatori fundor marzhi arrinte deri në 50% më lart sipas AK në qarqet e monitoruara.

Në konkluzion të hetimeve paraprake AK sugjeron se duhet të krijohet bursa e produkteve bujqësore, ndërsa mbetet të shihet nëse në përfundim të hetimeve kompanitë abuzive do të gjobiten.

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH