Ekonomi

Investimi 1 mld dollarë në Sazan, Xhepa: Garancia financiare, e padiskutueshme! I ka të gjitha mundësitë të jetë projekt i suksesshëm

Shkruar nga Liberale

Investimi 1 mld dollarë në Sazan, Xhepa: Garancia financiare, e

Presidenti i Universitetit Europian të Tiranës, Selami Xhepa tha se projekti me fond prej 1 miliardë dollarësh për kthimin e ishullit të Sazanit në një resort eko-turistik i ka të gjitha gjasat që të jetë i suksesshëm.

I ftuar në emisionin “Top Story” nën moderimin e Grida Dumës në Top Channel, Xhepa u shpreh se së pari, garancia financiare e firmës që do të zhvillojë projektin, është e padiskutueshme. Më tej, ai theksoi se i takon qeverisë shqiptare që të kujdeset për të rritur përfitimet e ekonomisë vendase nga ky projekt.

“Unë mendoj se gjasat për të qenë i suksesshëm ky projekt, janë të mëdha sepse firma mbrapa është fond investimi, që do të thotë nuk pret të marrë para në banka. Garancia financiare është e padiskutueshme. Pjesa tjetër varet nga aftësia e autoriteteve shqiptare që të kemi një ndarje më të ndershme të asaj që përfiton investitori dhe asaj që përfiton ekonomia lokale”– tha Xhepa.

Duke sjellë në vëmendje raste të mëparshme kur investitorëve vendas u janë besuar investime në sektorë të caktuar, eksperti tha që në mënyrë që të ketë besim nga publiku, duhet të ketë sa më shumë transparencë si projekt.

“Shpesh herë, kryesisht nga investitorë shqiptarë, përfitimi që ka pasur shoqëria ka qenë minimalist dhe shpesh herë kanë shkaktuar pasoja negative. Po të shohësh qytetet e minierave, ngjajnë si gërmadha dhe nuk kanë prodhuar fare mirëqenie. Të gjithë ata që hyjnë në shfrytëzim të pasurive, nuk kanë krijuar një ndarje të ndershme të të ardhurave. Standartet e kësaj marrëveshje duhet të jenë shumë transparente në mënyrë që të kuptojmë se kush pasurohet dhe kjo krijon klimën e mirëkuptimit nga shoqëria”– shtoi eksperti.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH