Çmimet e banesave në Shqipëri pësuan një rritje të fortë gjatë vitit 2024, me 44.5% në krahasim me një vit më parë, sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë. Vetëm për Tiranën, kjo rritje ishte 56% më shumë se viti 2023, ndërsa blerja e një shtëpie vijoi të ishte arsyeja kryesore pse individët morën kredi.
Megjithatë, Banka Qendrore thotë se aftësia paguese e kredimarrësve është përmirësuar dhe se numri i kredive me probleme ka prekur nivelet më të ulëta historike.
“Sektori bankar ka zgjeruar aktivitetin e tij, sektori bankar nuk ka probleme apo rreziqe me likuiditetin, cilësia e kredisë është përmirësuar gjatë periudhës, ka rënë në nivelin 4.2%, më i ulëti në 15 vitet e fundit”, tha Klodian Shehu, drejtor i departamentit të stabilitetit financiar në Bankën e Shqipërisë.
Në ndjekje të zhvillimeve në tregjet e huaja, Banka e Shqipërisë tërheq vëmendjen për pasiguri të shtuara, duke nënvizuar se normat e interesit mund të rriten sërish.
“Kemi zhvillime të rëndësishme në nivel ndërkombëtar për shkak të luftës tregtare dhe situatës gjeopolitike, mbetet për tu parë cili do të jetë rezultati i këtij zhvillimi,nëse do të ketë rritje të pasigurisë, ka shumë mundësi të shoqërohet me rritje të interesave, rritje të presioneve inflacioniste, kjo do të ndikojë në terma të konsumit dhe të investimeve në tërësi dhe ekonomia jonë do të preket. Sektori bankar të shfrytëzojë këtë periudhë të mirë financiare me fitime të larta për të mirësuar sistemet e veta të kontrollit dhe për administri9min e rreziqeve, për shkak të pasigurive që vijnë”, tha Shehu.
3 janë rreziqet globale që mund të cenojnë performancën ekonomike në të ardhmen, sipas bankës: rënia e ngadaltë e inflacionit, përshkallëzimi i luftës dhe qëndrimet tregtare të administratës së re të SHBA.