Ekonomi

ECONOMIC VIEW nga Aranit Muraçi: PAQJA që kërkon qeveria dhe amnistia që presin bizneset pas zgjedhjeve

Shkruar nga Liberale

ECONOMIC VIEW nga Aranit Muraçi: PAQJA që kërkon qeveria dhe

Aranit Muraçi

Do të jetë pas 11 majit kjo qeveri apo do të vijë një tjetër kjo pak rëndësi ka për biznesin nëse asgjë nuk ndryshon në favorin e tij. I vogël ose i madh qoftë biznesi, shumica e tyre në sondazhet e kryera ose kanë detyrime të papaguara e të mbartura ndër vite, ose besojnë se janë gjobitur dhe penalizuar padrejtësisht nga administrata tatimore. Në këto kushte, amnistia është zgjidhja më e mirë. Një e tillë është e nevojshme të paktën një herë në çdo katër vjet, kur ndërrohen qeveritë. Amnistitë shihen si të nevojshme edhe në vendet e zhvilluara ku rregullat dhe ligjet respektohen, në radhë të parë nga administrata tatimore.

Në muajin e fushatës elektorale dy kampet kryesore politike kanë prezantuar pikëpamjet e tyre ndaj ekonomisë dhe biznesit.
“Paqja Fiskale” është paketa e amnistisë që qeveria prezantoi gjatë këtyre ditëve dhe ka si qëllim për të zbutur ose për të zhdukur barrën fiskale të biznesve.

“Paqja” është një marrëdhënie e re që qeveria dëshiron të ndërtojë me biznesin pas 11 majit, gjithnjë nëse i fiton zgjedhjet. Paqja fiskale e propozuar nga qeveria në thelb përmban 3 komponentë. “1. Tatimi i dakordësuar mbi fitimin. 2. Rishikimi i pasqyrave financiare (5 vitet e fundit) 3. Falja e detyrimeve tatimore dhe kamat-vonesave.

Një marrëveshje do t’i propozohet çdo tatimpaguesi i cili është subjekt i tatimit mbi fitimin, që do të zgjasë për 3 vjet, me të drejtë rishikimi çdo vit, ku në bazë të një historiku tre vjeçar të fitimit neto të kompanisë, do t’i propozohet biznesit një tatim mbi fitimin në masën 15%. Të gjitha binzeset që do vendosin të hyjnë në këtë marrëveshje, sipas planit të qeverisë do të përjashtohen nga çdo kontroll tatimor.

Amnistia propozon që të fshihen të gjitha detyrimet, interesat e kamat-vonesat e bizneseve që janë më të vjetra se 10 vjet. Të fshihen të gjithë kamat-vonesat e bizneseve ndërmjet 5 vjet-10 vjet dhe bizneset që do të mund të paguajnë në një këst të të gjithë detyrimin do t’i falet 50% e detyrimit. Kush s’do ta paguajë dot me një këst detyrimin, do t’i jepet mundësia të lidhë një marrëveshje e ta paguajnë në 12 muaj me qëllim që t’i falet 25% e detyrimit.

A është amnistia e propozuar nga qeveria e mjaftueshme?

Sa më gjithpërfshirëse aq më mirë. Pse? Në fund të vitit 2024, detyrimet tatimore të papaguara kanë arritur në rreth 1.62 miliardë euro, ose 4.7% më shumë sesa e njëjta periudhë e një viti më parë ku 38% e borxhit tatimor janë penalitete dhe kamatëvonesa. Pjesa e mëdha e borxhit tatimor mbi 5 vjet llogaritet në rreth 1 miliard euro.
Në stokun e detyrimeve të papaguara, TVSH zë peshën më të madhe me 35% ose në vlerë 57O milionë Euro, e ndjekur nga Tatim-Fitimi me 29% ose 47O milionë Euro, Sigurimet Shoqërore & Shëndetësore me 15% ose 244 milionë Euro etj.

Krahasuar me fundin e vitit 2023, gjatë këtij viti, rritja më e madhe e borxhit tatimor u shënua sa i përket Tatim-Fitimit, me 24 milionë Euro. Kjo për faktin se bizneset 'de fakto' të mëdha fshehin fitimin dhe shmangin detyrimin ndaj një takse më të lartë. Gjobat ndaj tyre janë selektive, ndonjëherë edhe të pabazuara ose nën dyshimet e kontrrolluesve tatimorë, çka e bën të pamoralshme jo amnistinë, por shtimin dhe akumulimin e padrejtë të borxhit. Përveçse penalizon deklaruesit e ndershëm, borxhi i mbartur krijon stres për biznesin, herë pas herë mundësi për më shumë abuzim e korrupsion ndaj bizneseve.

Të dhënat historike flasin qartë. Në 15 vitet e fundit janë miratuar 4 amnisti, përkatësisht në vitet 2011, 2013, 2016 dhe 2020. Në asnjë rast ato nuk kanë lënë pas pasoja negative.  
Amnistia e fundit që u aplikua në vitin e krizës pas tërmetit dhe të shpërthimit të pandemisë erdhi më tepër si nevojë për të lehtësuar krizat natyrore sesa si një përpjekje për t’i dhënë zgjidhje barrës tatimore që rëndonte mbi bizneset. Si e tillë ajo nuk ishte e plotë, as e studiuar mirë dhe sigurisht efekti pozitiv nuk u dha siç duhet.

Projektligji i fundit mbi amnistinë depozituar në Kuvend, në vitin 2022, edhe pse një i tillë është rishikuar disa herë, nuk u miratua për shkak se është pritur me kritika nga BE dhe FMN. Kritikat kishin të bënin me faktin se amnistia në vend të lehtësimit të barrës tatimore parashikonte të amnistonte deklarimin e shumës deri në 2 milion euro pavarësisht burimit. Kjo e fundit ngriti dyshime për pastrim parash çka edhe u refuzua nga ndërkombëtarët.

Ndërkohë vitet kaluan, pozita e bizneseve në pritje të amnistisë u rëndua.
Një barrë më e lehtë tatimore e mbartur ndër vite do të thotë një mundësi më e madhe për të paguar detyrimin aktual, por edhe atë të së ardhmes. Amnistia i siguron më shumë mundësi zhvillimi biznesit, një të ardhme financiare më të mirë punonjësve, mundësi për punësime të reja shtesë.

Bizneseve të ngarkuara me barrë tatimore dhe me gjoba, shpesh të panevojshme, u lind natyrshëm nevoja për frymëmarrje. Argumenti se amnistia mund të ndikojë negativisht në moralin e biznesit të ndershëm që do të thotë se ajo do të demoralizojë tatimpaguesit e zellshëm e të rregullt bie, për dy arsye kryesore.

Informaliteti dhe korrupsioni janë fenomenet reale që jo vetëm nuk janë luftuar mjaftueshëm nga asnjë qeveri përgjatë tranzicionit, por, përkundër kësaj, prej tyre janë ushqyer dhe janë nxitur si politika të pamoralshme që ato kanë ndjekur madje edhe anti-ligjore, me qëllimin e vetëm për të joshur target-grupe votuesish e për të maksimizuar votat. Amnistia jep efekt të kundërt, shmang diskriminimin dhe pabarazitë, është e bazuar në ligj dhe shihet si më e drejtë.

E dyta, barra tatimore shtohet sepse ndikohet nga ryshfeti dhe papërgjegjshmëria e zbatuesve të ligjit. Bizneset shpesh nën presionin e gjobave duhet të bëjnë kompromise të pamoralshme dhe të paligjshme me përfaqësuesit tatimorë. Më këtë rast ekonomia dhe buxheti nuk kanë asnjë përfitim; Dëmtohet konkurenca. Shkatërrohet besimi, bie morali, rrritet paligjshmëria.

Amnistia kësisoj shmang mundësinë e administratës tatimore për abuzim me ligjin dhe në vend të kompromiseve të paligjshme me biznesin e pandershëm e hileqar i jep biznesit të ndershëm shansin të mbijetojë, të rrritet e të zhvillohet në një mjedis më të sigurt e paqësor. Kjo është arsyeja pse nismën e fundit qeveria e ka quajtur “Paqe fiskale” me bizneset.

Rrugëtim të Shqipërisë në BE nuk mund të ketë pa një kornizë ligjore efikase. Pa e lehtësuar kur duhet, pa e mbrojtur siç duhet dhe pa e çliruar kur është e nevojshme, nuk do të gjejnë rehatinë e domosdoshme as biznesi, as tregu, as vetë qeveria.

Liberale Newsroom

Bashkia e Tiranës mbi 3 muaj pa kryetar! A duhet të shpallë qeveria zgjedhje të reja për kryeqytetin?

  • Po!
  • Jo!
Powered by the Tomorrow.io Weather API
SHQIPENGLISH