"Tarifat e Trump janë një përpjekje e kotë për të rikthyer lavdinë e dikurshme të prodhimit"
Analisti me origjinë indiane i CNN Fareed Zakaria ka kritikuar politikat e tarifave të presidentit Donald Trump, si një përpjekje që do të dështojë, madje tha se i sjellin kujtime të këqija nga India.
Zakaria, gazetar amerikan, komentator politik me origjinë indiane, është drejtues i Fareed Zakaria GPS të CNN dhe shkruan një artikull me pagesë javore për The Washington Post.
“Tarifat e Donald Trump më rikthejnë kujtime të këqija, shumë të këqija”, - thotë Fareed Zakaria. “Jam rritur në Indi dhe atje u vendosën shumë tarifa. Ideja ishte për të mbrojtur prodhimet vendase nga gara e pandershme. Tingëllon disi familjare” thotë ai. Por çfarë sollën tarifat? “Korrupsion, varfëri dhe dështim.”
Fareed Zakaria i sheh gati njësoj politikat e tarifave të Presidentit Donald Trump, që shkojnë deri ne 145 për qind dhe që bien ndesh me parimet e tregut të lirë dhe më tepër të politikave të djathta.
Presidenti Donald Trump ka marrë një ekonomi në lulëzim dhe e ka përmbysur atë me rritje masive të tarifave në një përpjekje për të mbrojtur prodhimin vendas. Fareed thotë se kjo përpjekje e kthen prapa dhe i kujton po ashtu një tjetër nga historia amerikane: tarifat Smoot-Hawley të vitit 1930, të cilat u përpoqën të mbronin industrinë bujqësore në rënie. “Tarifa të tilla përfaqësojnë një politikë nostalgjie që vetëm dëmton amerikanët,” - argumenton Fareed.
Tarifat masive të Presidentit Trump do të ofrojnë mundësi të shumta për marrëveshje të veçanta, përjashtime dhe korrupsion, shprehet mes të tjerave Fareed. Kompanitë dhe vendet e tjera, sipas tij, me siguri do të përfitojnë nga politikat e Trump.
/Liberale.al/