Sociale

IN MEMORIAM/ 142 vjet nga lindja e Fan Nolit. Opozitarizmi i tij brilant në parlament: Ahmet Zogu, ‘shakaxhiu i përparimit’

Shkruar nga Liberale
IN MEMORIAM/ 142 vjet nga lindja e Fan Nolit. Opozitarizmi i tij brilant në

 

Më 6 janar të vitit 1882, në Ibrik Tepe në Edrene (Turqi) lindi një ndër personalitetet më të shquara të kombit, shkrimtari, publicisti, politikani, përkthyesi, shtetari, diplomati, historiani, kleriku i lartë, poet, e muzikolog.

Apostulli është libri i parë i një biografie të re për Fan Nolin me autor studiuesin Ilir Ikonomi, ish-gazetar i Zërit të Amerikës, i cili premton për një seri me tre vëllime.

Në këtë vëllim prej 430 faqesh, botim i UET Press, i cili u promovua pak kohë më parë në mjediset e UET, Ikonomi na jep një përshkrim realist dhe me ngjyra të gjalla të Fan Stilian Nolit, në periudhën që fillon me arritjen e tij në Amerikë në vitin 1906 dhe mbaron në vitin 1920, kur ai u largua për në Shqipëri.

Fan Noli mbetet një nga figurat më të ndritura të kombit tonë. Si politikan ai 6 muaj qëndroi në pushtet, madje edhe pse pushtetin e mori dhe e dorëzoi me anë të revolucionit, la pas vepra letrare si askush tjetër, duke u bërë një nga personalitetet më të dashura për shqiptarët.

Në vitin 1904, Noli shkoi në Egjipt, ku punoi si mësues dhe gjatë kësaj kohe u njoh me patriotë të shquar të kolonisë shqiptare të Egjiptit. Në atë kohë ai përktheu në greqisht veprën e Sami Frashërit “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet”.
Në vitin 1907, pas vajtjes së tij në Amerikë, ai krijoi shoqërinë “Besa-besë” në Boston.
Në 9 shkurt të vitit 1908, Fan Noli u dorëzua dhjak dhe në mars 1908, kryeprifti ortodoks i Nju Jorkut e shuguroi prift ortodoks. Disa ditë më pas, Noli mbajti liturgji në gjuhën shqipe për herë të parë në Boston.

Në korrik 1919, Noli u zgjodh Peshkop i Kishës Ortodokse Shqiptare në Amerikë. Përpjekjet e Nolit për një kishë kombëtare shqiptare, u përmbushën më 1937, kur Patriarkana e Stambollit njohu zyrtarisht Kishën Ortodokse Shqiptare Autoqefale.
Nga viti 1909 e deri më 1911, Noli botoi gazetën “Dielli” dhe së bashkë me Faik Konicën themeloi më 1912, Federatën Panshqiptare Vatra të Amerikës.
Në vitin 1912, përfundoi studimet e larta në fakultetin e filozofisë në Universitetin e Harvardit dhe vite më vonë, më 1938 mbaroi studimet e larta në Konservatorin e Muzikës së Bostonit.
Në vitin 1920, Noli u zgjodh kryetar i delegacionit shqiptar në Lidhjen e Kombeve në Gjenevë, ku nëpërmjet antarsimit të Shqipërisë në këtë lidhje, ajo mori një njohje ndërkombëtare.
Në 1921, ai botoi veprën e rëndësishme “Historia e Skënderbeut”.

Në qershor 1924, Fan Noli u bë figurë udhëheqëse në luftën për shndërrime demokratike në shoqërinë shqiptare. Me fitoren e Lëvizjes së Qershorit (1924), u vu në krye të qeverisë demokratike si kryeministër për një periudhë 6-mujore.


Pjesë nga fjalimi brilant i Noli në parlament si drejtues i opozitës: Shakaxhiu i përparimit

Kështu e mori përsipër Ahmet Zogu ta zbukuronte Shqipërinë dhe kështu ia mbushi kokën Parlamentit me profkat e tij. Pak kohë pas kësaj, puna doli fyçkë dhe shakaja u kuptua prej të gjithëve. Po më të shumtit nuk guxonin ta thonin nga frika se mos quheshin “tradhëtorë”. Vetëm një pakicë pati guximin ta thotë të vërtetën. Por nuk do të jetë larg dita, kur do t ia këndojnë Ahemt Zogut këngën në këtë formë:

Rroftë Ahmet Zogu, rroftë

Shakaxhiu i përparimit

Brez pas brezi u kujtoftë

si Stërnip i Nastradinit.

(Qeshje të zgjatura dhe duartrokitje nga ana e opozitës. Bërtitje shamate nga ana e deputetëve proqeveritarë).

…Kanë të drejtë dhe ata që qeshin dhe ata që zemërohen. Se puna është për të qeshur dhe për të qarë. Nemëni leje tani të përshkruaj, me pak fjalë historinë dhe teatrin, ku Ahmet Zogu bëri dhe vazhdon shakanë e tij. Në konfuzion të përgjithshëm dhe i ndihmuar prej lajthimeve fatale të kundërshtarëve të tij, Ahmet Zogu rrëmbeu fuqinë të cilën po e mban në dorë. Kjo s’është gjë e zorshme për të bërë, po të merret ndër sy që në vendin tonë mbretëron konfuzioni i pesë anarkive.

E para, anarkia fetare: katër fe të ndryshme që s’kanë zënë rrënjë në zemrën e popullit.

E dytë, anarkia sociale: këtu s’ka as klasë bejlerësh, as klasë bujqësh, as klasë burxhoazie. Këtu bujku është më bej se beu, beu më bujk se bujku.

E treta, anarkia morale: këtu qeni s’njeh të zotin; këtu karakteret lopësohen, qullosen dhe ndërrojnë formë dita-ditës si në kaleidoskop. Këtu ambiciet janë pa fre e pa kufi. Këtu i padituri i di të gjitha dhe i pazoti është i zoti për të gjitha.

E katërta, anarkia patriotike: këtu brenda në një ditë, si me magji, tradhëtori bëhet patriot dhe patrioti tradhëtor; këtu si më thoshte një mik, është më mirë të jetë njeriu tradhëtor e të shikojë interesin e tij e të jetë i sigurt që të nesërmen do të proklamohet patriot i madh.

E pesta, anarkia e idealeve: këtu idealet e errëta, të shtrembra e të mumifikuara të Fanarit e të Buharës përfyten e përleshen në një luftë për vdekje me idealet e gjalla, elegante dhe të ndritshme të Perëndimit..
(Fjalim i Fan Nolit më 27 shtator 1923 gjatë sesionit IV të Këshillit Kombëtar ku u paraqit një raport i qeverisë së atëhershme, kryesuar nga Ahmet Zogu. Në emër të opozitës, Fan Noli refuzoi kërkesën për votëbesim.)

Propozimi për rikthimin e eshtrave të tij

Përveç veprimtarisë shumë të rëndësishme politike, poetike e publicistike, gjatë këtij dhjetëvjeçari, Noli përktheu tragjeditë e Shekspirit, Rubairat e Omar Khajamit, romanin “Don Kishoti” të Servantesit, etj.
Fan Noli u shua më 13 mars 1965, në Ford Laurderdale, Florida të SHBA-së
Ai erdhi dhe ra nga pushteti përmes revolucionit. Interesant është fakti se ai e dënoi Ahmet Zogun me vdekje pas ardhjes në pushtet dhe u dënua me vdekje prej tij, pas rënies nga pushteti. Asnjëri nuk u dënua, madje të dy ndërruan jetë në mërgim.

58 vjet pasi mbylli sytë në Florida, shqiptarët që duan të vendosin një tufë lule në banesën e fundit ku prehet imzot Fan Noli, u duhet të shkojnë në varrezat e Forrest Hill Cemetery, të Bostonit. Por, Noli, si personalitet shumëdimensional, i përket gjithë shqiptarëve, ndaj, sipas Degës së Federatës Panshqiptare të Amerikës “Vatra” në Queens në Neë York, me president Skënder Murtezanin, ai duhet të jetë pranë tyre, edhe si figurë frymëzuese.

Debatin për riatdhesimin e eshtrave të tij kësaj here “Vatra”, në 10-vjetorin e krijimit të saj , e konkretizon me këtë kërkesë drejtuar Parlamentit Shqiptar këtë 7 dhjetor.

“E nderuar kryetare e Kuvendit znj. Lindita Nikolla, vatranët e degës së Queens-it, mbas të gjitha bisedave, sondazheve, mbledhjeve që kemi patur nëpër forume, këto dhjetë vitet e fundit, na rezulton se ka ardhur koha që Theofan Stilian Noli të prehet përfundimisht në tokën mëmë”, shkruhet në kërkesë.

Riatdhesimi i eshtrave të Nolit, sipas “Vatrës” do të ndikonte edhe për të rregulluar disbalancën në komunitetet fetare.

“Ne kujtojmë Fan Nolin si një arkitekt të madh të përpunimit të fjalës shqipe dhe inkubator i zhvillimit të mendimit dhe shkrimit publicistik. Noli ishte shkrimtar, historian, diplomat, poitikan, orator Arqipeshkop, “Metropolit i Kishës së Durrësit”, krijues i Kishës Autoqefale Shqiptare në atdhe dhe Amerikë. Ai ka shërbyer si Kryeministër i Shqipërisë, ishte kryediplomati që përfaqësoi Shqipërinë në Lidhjen e Kombeve. Fan Noli duhet të jetë në Shqipëri. Atëherë ç’e pengon Nolin të prehet në mëmëdhe?! Për ne vatrarët Noli është si gur që peshon rëndë në vendin e tiuj. Imzot Noli peshon në kulturën e kombit dhe atdheut të tij”, thuhet më tej.
“Vatra”, cek më tej kontributin e Nolit në shtetformimin shqiptar, por edhe përkrahjen ndaj Kosovës, duke theksuar, se riatdhesimi do të ishte dëshira e tij.
“E tërë kjo veprimtari kolosale , atdhetare e Fan Nolit na reflekton si një respekt i munguar që shteti duhet t’i bëjë atij kolosi. Nga respekti për Konicën, At Noli bëri ç’mos të riatdhesohet Faik Bej Konica. Pse mos ta dëshironte të njëjtën për vete?! Po fundja-fundit, a ka nevojë për një testament një atdhetar gjigand si At Fan Noli”?”, shkruhet në kërkesë.
Mirëpo përkundrejt drejtuesve të kësaj dege, ka edhe anëtarë të “Vatrës”, siç është Valentin Lumaj, që ndonëse nuk janë kundër kthimit të eshtrave të Nolit në Shqipëri, mendojnë se vendimi, nëse shteti shqiptar nuk jep garanci të plotë që të mos cënohet figura e tij, mund të jetë i nxituar. Si precedentë përmend dhunimin e varreve të Faik Konicës dhe Mithat Frashërit.

“Unë nuk e shikoj shumë të arsyeshme për momentin për të riatdhesuar eshtrat e Fan Nolit, kjo duke parë eksperiencën me Faik Konicën dhe Mithat Frashërin që të dyve iu dhunuan varret në Shqipëri. Në këtë kohë të paqartë politike të ngarkuar me ngarkesa të forta politike të së kaluarës por edhe të reja. Dhe ndoshta njerëzit e shikojnë edhe negativisht dhe jo me pëlqim. Shumica mund ta pëlqejnë por është një pjesë që është pak ekstravagante . Unë personalisht ngaqë e adhuroj Nolin Konicën Mithat Frashërin këto emblema të Vatrës nuk kisha pasur qejf që të cenohej sadopak figura e tyre sepse janë të shenjtë për kombin. Nga ana tjetër po ta shohim kishën Autoqefale të Nolit, në Boston këto janë dy trashëgimi të Nolit, dhe sikur Noli të largohet prej këtu sikur Vatra dhe Kisha ngelen pa rrënjë”, thotë Lumaj.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH