Bashkëshortja e Luçiano Boçit, Blerina Boçi ka reaguar pas sherrit masiv të ndodhur mbrëmjen e djeshme gjatë mitingut përmbyllës të Partisë Demokratike, ku mbeti i lënduar djali i saj.
Në një postim në rrjetet sociale ku shpërndan edhe pamjet e sherrit, ajo thotë se ky është një veprim i skemave banditeske, por që do ta zbardhin deri në fund.
“Skemat banditeske në veprim të plotë, por do e zbardhim deri në fund! Zoti thotë “Beteja është e imja”, shkruan ajo krahas videos.
Një sherr i madh mes militantëve të opozitës ka ndodhur këtë të mërkurë në qytetin e Elbasanit, ku Partia Demokratike dhe koalicioni “Shqipëria Madhështore” po zhvillonin takimin elektoral përmbyllës për zgjedhjet e 11 majit.
Në përplasje ka qenë i përfshirë edhe Parid Boçi, djali i deputetit Luçiano Boçi, i cili mbeti i lënduar.
Mësohet se Parid Boçi ka pësuar çarje në kokë gjatë sherrit, por nuk ka pasoja serioze për jetën ndërsa ai është dërguar në Spitalin Rajonal të Elbasanit, ku po merr mjekimin e nevojshëm.