Aktualitet

Si e zbuloi dhëndri i Trump ishullin e Sazanit? Rama flet për “Financial Times”: Kemi nevojë për turizëm super-luksoz!

Shkruar nga Liberale

Si e zbuloi dhëndri i Trump ishullin e Sazanit? Rama flet për

Në një artikull të botuar së fundmi nga "Financial Times", analizohet ecuria e biznesit të Jared Kushner, dhëndrit të presidentit të SHBA-ve, Donald Trump.

Gjatë shkrimit përmendet dhe historia se si lindi ideja për investimet në ishullin e Sazanit në Shqipëri dhe marrëdhëniet e tij me kryeministrin Edi Rama.

I cituar nga FT, kryeministri Rama shprehet i entuziazmuar për investimin në vendin e tij. Lidhja e Donald Trump me projektin e resortit luksoz, sipas tij përbën një “vlerë të shtuar të jashtëzakonshme”, pranon ai.

“Ne kemi nevojë për turizëm super-luksoz në këtë vend siç ka nevojë shkretëtira për ujë”, shton kreu i qeverisë shqiptare, duke nënvizuar “ajo çfarë fitohet nga 500 jahte është e njëjtë me atë që fitohet nga 40,000 turistë me buxhet të ulët”.- ka deklaruar Rama.

Si lindi e gjithë kjo ide? Shumë më thjesht nga sa mund të mendohet, sipas artikullit.

Kushner po lundronte me jaht në Mesdhe me familjen e tij në verën e vitit 2021, e teksa po ankoronin jahtin në brigjet shqiptare, i kërkoi një miku ta ndihmonte për të ndërmjetësuar një takim me kryeministrin Rama. Gjatë darkës, Rama, i njohur për natyrën e tij miqësore, krijoi një lidhje me Kushner dhe diskutoi sesi bregdeti mahnitës i Adriatikut në Shqipëri shpesh anashkalohet nga turistët e pasur që lëvizin mes Italisë dhe ishujve grekë, thuhet në shkrim. “Kushner nuk përmendi investime”, kujton Rama.

“Thjesht po pyeste për Shqipërinë… Praktikisht, ata nuk kishin asnjë njohuri mbi historinë shqiptare. Ditën tjetër, u larguan”. Kur u takuan sërish disa muaj më vonë në Davos, Rama thotë se Kushner i tregoi se i kishte pëlqyer shumë Shqipëria.

Gjatë asaj kohe, ai ishte takuar me Mohamed Alabbar, investitorin miliarder nga Arabia Saudite, i cili po zhvillon një marinë luksoze në portin e Durrësit, dhe kishin diskutuar mundësitë e investimeve.

Kushner rikthehet në Shqipëri verën e vitit 2023 me një delegacion më të madh, përfshirë Richard Grenell, një aleat i vendosur i Trump.

“Qëndruan rreth një javë, duke vizituar disa zona”, thotë Rama. “Kësaj here, Kushner ishte i drejtpërdrejtë, ‘jemi të interesuar të investojmë’”, thekson Financial Times.

Në 30 dhjetor, nisma e tij mori OK-in paraprak të qeverisë shqiptare, për atë që përshkruhet nga media e njohur si një ndër investimet më të spikatura të firmës së Kushnerit, Affinity Partners.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH