Aktualitet

Opozita ngre shqetësime për zgjedhjet në mbledhjen e Komisionit për Çështjet Evropiane

Shkruar nga Liberale.al

Opozita ngre shqetësime për zgjedhjet në mbledhjen e Komisionit

Mbledhja e Komisionit për Çështjet Evropiane në Kuvendin e Shqipërisë, ku në fokus ishte projekt-pozicioni negociues për grupkapitullin e katërt në kuadër të negociatave me Bashkimin Evropian, u shoqërua me debate politike mes maxhorancës dhe opozitës.

Kryetarja e komisionit, Jorida Tabaku, shprehu shqetësimin për standardet e zgjedhjeve të 11 majit, duke deklaruar se Shqipëria ka bërë hapa pas në këtë drejtim. Sipas saj, nuk mund të ketë integrim të vërtetë pa adresuar problematikat e brendshme, përfshirë edhe procesin zgjedhor.

“Nuk mund të sillemi si europianë në Bruksel dhe si shqiptarë në Tiranë. Parlamenti duhet të diskutojë për zgjedhjet dhe ndikimin e tyre në procesin e integrimit,” tha Tabaku.
Kjo deklaratë u kundërshtua nga deputetja socialiste Mimi Kodheli, e cila kërkoi që diskutimi të përqendrohej vetëm te çështjet teknike të integrimit dhe jo në debate politike.

“Kemi mjaftueshëm tribuna për komente politike. Ky komision duhet të fokusohet në detyrën që ka,” u shpreh Kodheli.
Ndërkohë, edhe deputeti i PD-së, Kreshnik Çollaku, theksoi rëndësinë e konsensusit politik në procesin e integrimit, duke paralajmëruar se një qasje njëpartiake mund të dëmtojë rrugën drejt BE-së.

“Pa konsensus politik, dyert e Brukselit nuk hapen,” tha Çollaku.
Mbledhja zgjati vetëm pak minuta me dyer të hapura, pasi diskutimi vijoi me dyer të mbyllura, për shkak se qeveria kishte paraqitur një dokument që nuk është ende publik.

Kujtojmë se vetëm dy ditë më parë, presidenca polake e BE i kërkoi zyrtarisht qeverisë shqiptare të dorëzojë pozicionin negociues për këtë kapitull, i cili do të prezantohet në konferencën e ardhshme ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian.

Liberale Newsroom

A mund të shihen si shpresëdhënës politikanët e rinj për të përmbysur raportin tradicional të dy partive të mëdha në qeverisje prej ‘92?

  • Po!
  • Jo!
Powered by the Tomorrow.io Weather API
SHQIPENGLISH