Aktualitet

Ndarja nga jeta e gazetarit Aristir Lumezi/ Begaj mesazh ngushëllimi: Humbëm njeriun e analizave të përcjella me guxim

Shkruar nga Liberale

Ndarja nga jeta e gazetarit Aristir Lumezi/ Begaj mesazh ngushëllimi:

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta të Kryeredaktorit të gazetës “Panorama”, Aristir Lumezi.

Kreu i shtetit ka vlerësuar figurën e të ndjerit, duke shtuar se gazetaria shqiptare humbi Kryeredaktorin që "përcolli frymën perëndimore në shtypin e shkruar shqiptar përmes filozofisë së tij të drejtimit."

"E nderuar Eleonora dhe familja Lumezi, Mësova me hidhërim lajmin e ndarjes nga jeta të Aristirit, i cili trishtoi të gjithë ata që e njohën personalisht, por edhe ata që e njohën nëpërmjet ekranit, shkrimeve dhe analizave të tij.

Gazetaria shqiptare humbi sot Kryeredaktorin që përcolli frymën perëndimore në shtypin e shkruar shqiptar përmes filozofisë së tij të drejtimit.
Aristiri ishte gazetari, reporteri i terrenit, redaktori, kryeredaktori dhe analisti që me të vërtetën nuk bëri kurrë kompromis. Sot, shqiptarët humbën njeriun e analizave të përcjella me guxim nëpërmjet maturisë së karrierës së pa sforcuar në media.

Shqipëria do të ketë gjithmonë nevojë për modelin e profesionistit që ai përcolli në media. Unë besoj se të gjithë ata që bashkëpunuan me të dashurin tuaj të zemrës do ta mbajnë për shembullin se si duhet të shkruajnë e të mbajnë qëndrimet në raport me të vërtetën. Ju lutem, pranoni ngushëllimet e mia të sinqerta!
U prehtë në paqe Aristir Lumezi!”, – shprehet Presidenti Begaj".

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH