Jetmir Muçllari ka reaguar pas raportimeve në media ku thuhet se ka ushtruar dhunë ndaj kryeplakut të fshatit. Në një deklaratë për mediat, ai ka mohuar kategorikisht akuzat dhe thotë se është vetë ai që është sulmuar nga Ilir Tasellari, të cilin e quan “kryeplak të vetëshpallur, pa asnjë funksion zyrtar”.
Sipas Muçllarit, konflikti mes tyre ka nisur prej kohësh për shkak të një çështjeje pronësie. Ai thotë se Tasellari ka hyrë disa herë në mënyrë të paligjshme në pronën e tij, duke pretenduar se është rrugë publike, edhe pse bëhet fjalë për një territor privat të rrethuar dhe me dokumente të rregullta. “Punimet që po bëhen aty janë me leje. Ai ka ardhur me forcë, ka hyrë pa leje dhe më ka provokuar vazhdimisht,” është shprehur Muçllari.
Ngjarja e fundit, sipas tij, ka dalë jashtë kontrollit kur Tasellari e ka goditur i pari me një tullë dhe më pas me një copë qeramidhe, duke i shkaktuar plagë në kokë dhe dëmtime në sy. “Në momentin e ngjarjes ishin të pranishëm edhe përfaqësues të bashkisë dhe të IKMT-së, të cilët panë se ishim pala e dëmtuar,” shton ai.
Muçllari akuzon Tasellarin edhe për ndërtime pa leje dhe për zaptim të hapësirave publike, përfshirë ndërtimin e një bodrumi të fshehtë në hotelin e tij dhe ndërhyrje pranë varrezave të fshatit. Ai thotë se Tasellari ka pasur konflikte të ngjashme edhe më parë me banorë të tjerë dhe e lidh atë me një grup të strukturuar që ndjek interesa të paligjshme.
Përsa i përket videos së publikuar në media, Muçllari thotë se është e manipuluar dhe nuk tregon momentin kur ai është goditur i pari.