Altin Hajri është shpallur në kërkim nga Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion, ndërsa ish-deputeti i PS Jurgis Çyrbja u arrestua së bashku me Ahmet Mashën.
Hajri është emër i njohur për drejtësinë, pasi dyshohet se mori pjesë në rrëmbimin e Jan Prengës.
Mësohet se Altin Hajri është një nga dy vëllezërit pronarë të kompleksit “Golden” në Shijak.
Hajri rezulton se është ndihmuar dhe strehuar nga ish-deputeti i PS, Jurgis Çyrbja, pasi u shpall në kërkim për Prengën. Ai e ka fshehur në pronat e tij, kryesisht banesa. Komunikimet në platformën e koduar SKY ECC duket se kanë provuar dyshimet. Hajri mbetet ende në kërkim dhe kontrollet e kryera nga Policia dje kanë dështuar përsëri në kapjen e tij.
Ish-deputeti Jurgis Çyrbja u arrestua në Shijak mbrëmjen e kaluar, i akuzuar për tre veprat penale: “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, “Përkrahja e autorit të krimit” dhe Tregtimi i sekretit shtetëror nga shtetasit”.
Çyrbja dyshohet se ishte përdorues i aplikacionit SKY dhe se bashkëpunoi me personazhe të një grupi kriminal në Durrës.
Sipas burimeve të gazetares Anila Hoxha “pas një hetimi të gjatë dhe nga përgjigjet e autoriteteve franceze u zbulua se gjatë kohës që ishte deputet, ai ishte përdorues i aplikacionit Sky dhe se ka të dhëna sekrete se ka bashkëpunuar me personazhe të një grupi kriminal në Durrës”.
Pas akuzave për shpërdorim detyre dhe thirrjes në ambientet e SPAK, Çyrbja vendosi që ta linte mandatin e deputetit.
Gjithashtu ish-deputeti akuzohet se ka shpërdoruar detyrën me firmat që ka hedhur në 4 raste mbi pronësinë e gati 25 mijë metra katrorë tokë në zonën e Rrashbullit në Durrës.