Një ngjarje e rëndë ka tronditur mbrëmjen e sotme zonën bregdetare të Durrësit. Rreth orës 19:30, një turiste sllovake 79-vjeçare, e identifikuar si M. R., ka humbur jetën aksidentalisht teksa po notonte në det, pranë zonës së Shkëmbit të Kavajës.
Sipas informacioneve paraprake të Policisë, dyshohet se e moshuara është mbytur gjatë kohës që po lahej, ndërsa ngjarja ka ndodhur përpara syve të pushuesve të tjerë, që njoftuan menjëherë autoritetet.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje, ku po punon për të dokumentuar rrethanat dhe për të përcaktuar shkakun e saktë të mbytjes.