Ekonomi

Banka Botërore 120 mln dollarë Shqipërisë, mbështetje në tri fusha kryesore reformash

Shkruar nga Liberale

Banka Botërore 120 mln dollarë Shqipërisë, mbështetje

Bordi i Drejtorëve Ekzekutivë të Bankës Botërore ka miratuar Programin e Dytë të Politikave për Qëndrueshmëri dhe Zhvillim të Gjelbër (DPL), me një financim prej 120 milionë dollarësh, për forcimin e qëndrueshmërisë fiskale dhe nxitjen e zhvillimit të qëndrueshëm në Shqipëri.

Lajmi është bërë publik nga vetë Banka Botërore, nëpërmjet një njoftimi për shtyp. Ky është financimi i dytë i një serie prej dy fazash ndihmon vendin të përmirësojë qëndrueshmërinë fiskale dhe atë mjedisore.

“Programi i ri do të mbështesë Shqipërinë në tri fusha kryesore reformash, të cilat synojnë:

*Forcimin e hapësirave fiskale, përfshirë përmirësimin e administrimit të taksave dhe raportimit të ndërmarrjeve shtetërore mbi rreziqet e mundshme sociale dhe mjedisore.

*Zgjerimin  e tregut të energjisë, duke nxitur burimet e rinovueshme dhe rritjen e efçencës së energjisë.

*Mbrojtjen e mjedisit dhe uljen e emetimeve të karbonit.

Ky program është në përputhje me Kuadrin e Partneritetit të Vendit për periudhën 2023-2027, çka përforcon angazhimin e Bankës Botërore për zhvillimin e qëndrueshëm të Shqipërisë dhe përmirësimin e cilësisë së jetës për qytetarët e saj.”, thuhet në njoftim për shtyp të BB.

“Paketa e reformave që mbështesim përmes këtij programi synon të forcojë perspektivat e zhvillimit të Shqipërisë,” tha Richard Record, Menaxheri në detyrë i Bankës Botërore për Shqipërinë.

“Ky financim do ta ndihmojë vendin të adresojë sfidat kryesore në sektorin e energjisë si dhe të rrisë aftësinë e qeverisë për të menaxhuar rreziqet fiskale dhe për të mbështetur më mirë shtresat në nevojë të popullsisë.”

Sipas BB, programi reflekton aspiratat e Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian, Programin e Reformave Ekonomike 2024-2026 dhe angazhimet ndërkombëtare të vendit për klimën.

Masat kryesore përfshijnë forcimin e qëndrueshmërisë fiskale, përmirësimin e sistemit të ndihmës sociale dhe nxitjen e reformave në sektorin e energjisë.

Sipas BB, “kuadri i politikave makroekonomike të Shqipërisë mbetet i qëndrueshëm, i karakterizuar nga deficit fiskali menaxhueshëm, borxh publik në rënie, politikë monetare e qëndrueshme e mbështetur nga masa dhe mbikëqyrje e kujdesshme.”.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH