Policia e Shtetit ka publikuar planin e masave të sigurisë për mbarëvajtjen e ndeshjes Shqipëri-Ishujt Faroe, që do të luhet nesër, 20 nëntor në stadiumin “Air Albania” në 20:45, ndeshja e fundit e kualifikuesve për kampionatin europian.
Masat e marra nga Policia e Shtetit janë si më poshtë:
- Eskortimi dhe sigurimi i futbollistëve të ekipit të futbollit të Ishujve Faroe, nga aeroporti i Rinasit, në hotel, në stadium dhe në kthim për në Rinas;
- Eskortimi dhe sigurimi i futbollistëve të ekipit të futbollit të Shqipërisë, në stadium;
- Kryerja e kontrolleve të hollësishme në mjediset e stadiumit dhe brenda stadiumit, për shtetas të paautorizuar, sende dhe lëndë të ndaluara, para se të futen tifozët;
- Organizimi i shërbimeve për garantimin e rendit publik para, gjatë dhe pas përfundimit të ndeshjes së futbollit, jo vetëm pranë stadiumit, por edhe kontrolli i territorit në të gjithë qytetin e Tiranës;
- Sigurimi i rrugëkalimeve të shërbimeve të emergjencës;
- Menaxhimi i trafikut rrugor në qytetin e Tiranës, para, gjatë dhe pas ndeshjes së futbollit.