Kryeministri Edi Rama ka dhënë një prononcim shumë të shkurtër për mediat sa i takon shkarkimit të kryebashkiakut të Vorës, Agim Kajmakut.
Pas mbledhjes me krerët e partisë në rrethe, deputetët dhe kryebashkiakët e veriut, Rama u ka thënë mediave shkurt dhe qartë duke iu referuar vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve se: "Institucionet, janë institucione".
Pas një diskutimi prej disa orësh sot KQZ vendosi shkarkimin e Kajmakut i cili u akuzua nga Partia Demokratike se ishte arrestuar në Greqi, nën emrin Jorgo Toto.
Ai akuzohej për veprën penale të falsifikimit të parave, por që nuk e kishte paraqitur në formularin e Dekriminalizimit.
Akuzat e PD u konfirmuan edhe nga Prokuroria e Përgjithshme, e cila pasi bëri verifikimin e shenjave të gishtërinjve të Kajmakut dhe shenjat e gishtërinjve të shtetasit Jorgo Toto, të arrestuar në Greqi, rezultoi se ishte i njëjti person. /Gazeta Liberale