Numri i të vdekurve nga tërmeti ka shkuar mbi 20,000. Shifra është bërë publike pasditen e së enjtes nga institucioni zyrtar i Menaxhimit të Fatkeqësive dhe Emergjencave të Turqisë, teksa publikoi përditësimin më të fundit mbi numrin e njerëzve që kanë vdekur nga tërmeti tragjik.
Është një tjetër tërmet, ndër më tragjikët në histori.
Banka Botërore njoftoi se do t'i japë Turqisë 1.78 miliardë dollarë ndihmë për të ndihmuar në përpjekjet për lehtësim dhe rimëkëmbje.
Presidenti David Malpass tha se, “po ofrojmë ndihmë të menjëhershme dhe po përgatisim një vlerësim të shpejtë të nevojave urgjente dhe masive në terren”.
“Do të identifikojë fushat prioritare për rimëkëmbjen dhe rindërtimin e vendit, ndërsa po përgatisim operacione për të mbështetur këto nevoja.”
Vendimi vjen pasi Agjencia France Presse raportoi të enjten se SHBA do të japë 85 milion dollarë ndihmë për Turqinë dhe Sirinë.
Ndihma e menjëhershme nga BB prej 780 milion dollarë do të ofrohet nëpërmjet komponentëve të reagimit ndaj urgjencës së rastit nga dy projekte ekzistuese në Turqi, tha banka botërore. “Ndihma do të përdoret për rindërtimin e infrastrukturës bazë në nivel komunal,” shtoi Presidenti David Malpass.
Qeveria e Athinës, po ashtu, po planifikon të ofrojë 80 tonë ndihma, si batanije, shtretër, tenda dhe pajisje mjekësore, tha ministria e saj e mbrojtjes civile. Fluturimet tregtare që mbanin kuti me një pjesë të ndihmës u ulën në aeroportin turk të Adanas të enjten, me operacionin që pritet të përfundojë deri të premten, sipas Reuters.
“Kemi sjellë ilaçe, pajisje mjekësore dhe gjëra thelbësore për të lehtësuar sadopak dhimbjen e njerëzve të prekur nga tërmeti," tha ministri grek i mbrojtjes civile, Christos Stylianides, i cili shoqëronte ndihmat për në Adana. "Është koha që të gjithë të tregojmë ndjenjat tona të humanizmit”, tha ai. Greqia dhe Turqia kanë pasur mosmarrëveshje për dekada për një sërë çështjesh, nga të drejtat territoriale në Detin Egje te Qiproja e ndarë etnikisht dhe migrimi, madje tensionet mes tyre ishin rindezur kohët e fundit. Megjithatë, kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis, telefonoi presidentin turk, Recep Tayyip Erdoğan, të hënën për të shprehur ngushëllimet e tij për jetët e humbura nga tërmeti tragjik.
Të paktën 28,044 njerëz janë evakuuar nga Kahramanmaraş , një nga provincat jugore turke më të goditura nga tërmeti i së hënës, duke përfshirë 23,437 nga ajri dhe 4,607 me rrugë dhe hekurudha, tha agjencia turke e menaxhimit të fatkeqësive.
Ekipet e shpëtimit vazhduan të nxjerrin të gjallë edhe sot nga rrënojat personat e bllokuar prej ditësh, duke përfshirë një vajzë të mitur, e bllokuar prej tre ditësh. Turqia njoftoi se ka marrë premtime për ndihma nga 95 vende dhe 16 organizata ndërkombëtare që nga e hëna. 6,479 punonjës shpëtimi nga 56 vende janë duke ndihmuar në 10 provincat e prekura nga tërmeti, me ekipe nga 19 vende të tjera të vendosura brenda 24 orëve të para pas tragjedisë.
Franca njoftoi 12 milionë euro ndihmë urgjente për sirianët pas tërmetit. Ndihma do të shpërndahet “përmes organizatave joqeveritare dhe OKB-së në të gjitha rajonet e prekura”, ndërsa Gjermania tha se do të rriste ndihmën humanitare në Siri me 26 milionë euro.
Agjencia turke e menaxhimit të fatkeqësive, AHAD, tha se ka regjistruar pothuajse 650 pasgoditje të tjera pas dy tërmeteve shkatërrimtarë – 7.8 dhe 7.6 ballë – që goditën vendin, duke i bërë përpjekjet e shpëtimit edhe më të vështira dhe më të rrezikshme, ndërsa ekipet e emergjencës vijojnë punën intensive në terren duke luftuar me kohën.
Një raport i Reuters hodhi dritë mbi mënyrën se si qindra mijëra njerëz të pastrehë nga tërmeti po strehohen në brigjet e tendave të ngritura në stadiume dhe qendrat e shkatërruara të qyteteve, ndërsa vendpushimet e plazhit mesdhetar në Egje, jashtë zonës së tërmetit, po hapin hotelet për të evakuuarit.
OKB-ja do të dërgojë shefin e saj të ndihmës, Martin Griffiths, në Gaziantep, në Turqi , dhe në Aleppo dhe Damask, në Siri, këtë fundjavë për të vlerësuar se si ajo mund të rrisë më së miri mbështetjen. Kjo u konfirmua nga sekretari i përgjithshëm i OKB-së, António Guterres, i cili gjithashtu i kërkoi qeverisë siriane të lejojë aksesin e ndihmave në veriperëndim të vendit të mbajtur nga rebelët.
/Përgatiti: a.m Liberale.al/