Aktualitet

SHIFRA E DITËS: Popullsia e BE-së rritet në 448.4 milionë banorë, Gjermania “merr në qafë” pas Shqipërisë edhe Italinë e Greqinë

Shkruar nga Liberale

Aranit Muraçi

Me rastin e Ditës Botërore të Popullsisë, Eurostat ka publikuar sot të dhënat e fundit për popullsinë e vendeve anëtare të BE-së. Gjermania është shteti me rritjen më të madhe të popullsisë, ndërsa Italia dhe Greqia kanë pësuar rënie. Kjo për arsyen e emigracionit, ku edhe shumë shqiptarë të punësuar në vendet fqinje janë zhvendosur kohët e fundit drejt Gjermanisë. Vendi që udhëheq ekonominë europiane po ndjek politika më joshëse për emigracionin nisur nga nevojat e saj për fuqi punëtore. Në vjeshtë Shqipëria do të publikojë të dhënat e Censusit, teksa pritet që popullsia të ketë rënë ndjeshëm krahasuar me vitin 2011, kur ishte rreth 2.8 milionë banorë, për shkak të rënies të lindshmërisë dhe emigracionit.

Popullsia në Europë

Pas një rënie të popullsisë në 2020 dhe 2021 për shkak të ndikimit të pandemisë COVID-19, popullsia e BE-së u rrit në 2022, nga 446.7 milionë në 1 janar 2022, duke shkuar në 448.4 milionë njerëz më 1 janar 2023. Ndryshimi natyror negativ (më shumë vdekje sesa lindje) ishte më i madh se migrimi neto pozitiv. Rritja e vëzhguar e popullsisë mund t'i atribuohet kryesisht rritjes së lëvizjeve migratore pas COVID-19 dhe fluksit masiv të personave të zhvendosur nga Ukraina që morën statusin e mbrojtjes së përkohshme në vendet e BE-së, si pasojë e pushtimit rus në shkurt 2022.

Ky informacion vjen nga të dhënat për popullsinë e publikuar sot nga Eurostat.

Në një periudhë afatgjatë, popullsia e BE-së u rrit nga 354.5 milion në 1960 në 448.4 milion më 1 janar 2023, një rritje prej 93.9 milion njerëz. Shkalla e rritjes së popullsisë është ngadalësuar gradualisht në dekadat e fundit. Popullsia e BE-së u rrit mesatarisht me rreth 0.8 milionë persona në vit gjatë periudhës 2005-2022 krahasuar me një rritje mesatare prej rreth 3.0 milionë persona në vit gjatë viteve 1960. Ndërsa popullsia e BE-së ra në vitin 2020 me rreth gjysmë milioni persona dhe në vitin 2021 me pothuajse 0.3 milion persona për shkak të pandemisë COVID-19, ajo ka filluar të rifitojë rritjen e saj, siç edhe tregojnë shifrat e fundit.

Popullsia e vendeve anëtare të BE-së më 1 janar 2023 varionte nga 0,5 milionë në Maltë në 84,4 milionë në Gjermani. Gjermania, Franca dhe Italia së bashku përbënin pothuajse gjysmën (47%) të popullsisë totale të BE-së më 1 janar 2023.

Ndërsa popullsia e përgjithshme e BE-së u rrit në vitin 2022, rritje e popullsisë nuk u vërejt në çdo vend anëtar. Në total, shtatë vende regjistruan një rënie të popullsisë midis 1 janarit 2022 dhe 2023, me rënien më të madhe të raportuar në Itali (-179 419 persona) dhe më të voglin në Sllovaki (-5 920). Rritje u vunë re në 20 vendet e tjera, me e madhja në Gjermani (1 121 721) dhe rritja më e vogël në Letoni (7.251). E ndërsa Gjermania ka shënuar rritjen më të madhe të popullsisë pas pandemisë në vendet anëtarë te BE-së, një kontribut ka dhënë edhe emigrimi i shqiptarëve.

Popullsia e Shqipërisë

Popullsia e Shqipërisë më 1 janar 2023 rezulton 2.761.785 banorë, duke pësuar një rënie me 1,1 %, krahasuar me 1 janar 2022, sipas të dhënave të fundit të Institutit të Statistikave. INSTAT, megjithatë, i ka bërë vlerësimet përmes sistemit TIMS, duke rifreskuar të dhënat  e Censusit 2011, si dhe ndryshimit gjatë 12 viteve të fundit të shtesës natyre të popullsisë përmes lindjeve dhe vdekjeve. Kjo do të thotë se nuk janë llogaritur largimet dhe ata që kanë hyrë klandestin në vendin tonë. Do të jetë Censusi i vjeshtës së vitit 2023 që do të japë panoramë më të qartë dhe të detajuar të numrit të mbetur të popullsisë në vend.

Gjatë vitit 2022 shtesa natyrore e popullsisë (lindje-vdekje) regjistroi 690 lindje më shumë se sa vdekje. Numri i imigrantëve në vitin 2022 ishte 13.963 persona: 51,9 % më shumë, krahasuar me një vit më parë. Numri i emigrantëve ishte 46.460 persona: 10,5 % më shumë, krahasuar me vitin 2021. Migracioni neto (diferenca midis imigrantëve dhe emigrantëve) shënoi një përmirësim të lehtë, krahasuar me një vit më parë: nga -32.853 në -32.497 banorë në 2022.

Numri i imigrantëve, i të huajve që erdhën në Shqipëri, ishte 13.963 persona: 51,9 % më shumë, krahasuar me një vit më parë.  Në 1 janar 2023 raporti i varësisë së të rinjve (raporti i popullsisë 0-14 vjeç me popullsinë 15-64 vjeç) u zvogëlua, krahasuar me 1 janar 2022: nga 24,0 % në 23,8 %, ndërsa raporti i varësisë së të moshuarve (raporti i popullsisë 65+ me popullsinë 15-64 vjeç) u rrit: nga 23,1 % në 24,4 % gjatë të njëjtës periudhë.

Raporti gjinor i popullsisë gjithsej më 1 janar 2023 ka pësuar rënie, në krahasim me 1 janar 2022: nga 98,6 në 98,0 meshkuj për 100 femra. Raporti gjinor në lindje pësoj rënie të lehtë, duke shënuar vlerën 107,4 në vitin 2022, nga 107,6 që ishte në vitin 2021. Gjatë vitit 2022 lindën 24.688 foshnja, duke pësuar një rënie prej 9,3 %, krahasuar me një vit më parë. Numri i vdekjeve në 2022 ishte 23.998 persona, duke pësuar një rënie prej 21,3 %, krahasuar me një vit më parë. /Liberale.al/

[caption id="attachment_1376327" align="alignnone" width="709"] Popullsia në vendin tonë[/caption]

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH