Aranit Muraçi
Prej tri dekadave Shqipëria nuk ka një shifër, që t’i tregojë botës sesa është popullsia e saj reale.
Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi deklaroi pas mbylljes së procesit zgjedhor dhe numërimit se, në 5213 qendra votimi votuan 38.22 % zgjedhës në total, nga 3.650.658 votues të thirrur në zgjedhje. Nga të dhënat e KQZ-së, në total Partia Socialiste siguroi 786.566 vota, Partia Demokratike 36.852 vota dhe koalicioni “Bashkë Fitojmë” 501.402 vota.
Nga 122.545 zgjedhës që votonin për herë të parë më 14 maj, sipas të dhënave të raportuara në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, vetëm 16.628 prej tyre ose 13.5% e kanë ushtruar të drejtën e votës. Arsyeja kryesore e bojkotit masiv prej tyre shpjegohet me faktin se shumica e 18-vjeçarëve ose kanë lindur në emigracion, ose janë larguar me prindërit e tyre, në një nga vendet e zhvilluara.
Bazuar në të dhënat e Censusit të Popullsisë dhe Banesave 2011, rezulton se popullsia e Shqipërisë është 2,831,741 banorë. Ndërkohë që numri i popullsisë nga Censusi i vitit 2001 ishte 3,069,275. Në vitin 1990, para se të hapeshin kufijtë për në emigracion, në bazë të të dhënave të fundit zyrtare, popullsia e Shqipërisë ishte 3.3 milionë banorë.
Në pritje të të dhënave të Censusit të vitit 2023, i cili do të tregojë numrin e shqiptarëve të mbetur brenda territorit, pyetja që shtrohet është: përse asnjë institucion nuk mat dhe publikon numrin e shqiptarëve, pavarësisht nëse ata ndodhen në Shqipëri apo kanë emigruar? Kthehen apo jo!
Përderisa një institucion si KQZ ka publikuar numrin e shqiptarëve mbi 18 vjeç, me të drejtë vote, përse fshihet numri i popullsisë totale të Shqipërisë dhe një të tillë përse nuk e zotëron asnjë institucion. Madje as INSTAT!
Të lindurit në vitin 2005 sipas KQZ, 18 vjeçarët të cilët u thirrën që të votonin për herë të parë në zgjedhjet e fundit ishin pak më shumë se 122 mijë. Nisur nga fakti që në tri dekadat e fundit ka rënë lindshmëria, le të supozojmë se mesatarja e të lindurve në çdo vit pas 2005 deri më sot është 100 mijë. Sipas këtij supozimi logjik popullsia nën 18 vjeç pa të drejtë vote mund të jetë sot minimalisht 1.7 milionë dhe mesatarisht 2 milionë. Në total, nëse i shtojmë numrin që zotëron KQZ me të drejtë vote, pra, shqiptarët mbi 18 vjeç, Shqipëria rezulton të ketë shkuar 5.3 milionë banorë deri në 5.5 milionë banorë.
Për të pasur një shifër zyrtare nuk është aspak e vështirë. Ashtu siç KQZ iu referua të dhënave të Gjendjes Civile për të nxjerrë numrin total të popullsisë me të drejtë vote, ashtu edhe INSTAT apo një institucion tjetër mund të nxjerrë numrin total të shqiptarëve pavarësisht nëse jetojnë ose jo sot në Shqipëri.
Pothuajse të gjitha raportimet botërore për popullsinë e Shqipërisë i referohen Censusit të vitit 2011, që tregoi se në Shqipëri jetonin 2.8 milionë banorë.
Nëse për botën pak rëndësi ka sa shqiptarë janë, të paktën vetë shqiptarët, a nuk duhet ta dinë se sesa është numri i tyre?
/Liberale.al/