Aktualitet

SHIFRA E DITËS: Bien me 9 për qind çmimet e banesave, si u favorizua me ligj të veçantë rritja për një dekadë

Shkruar nga Liberale
SHIFRA E DITËS: Bien me 9 për qind çmimet e banesave, si u

Aranit Muraçi

Të dhënat e matura nga Banka e Shqipërisë tregojnë se në gjashtëmujorin e dytë të vitit 2022 çmimet e pronave dhe të banesave kanë rënë me 9%, krahasuar me gjashtëmujorin e parë të vitit të kaluar.

Rënia vjen pas një periudhe të tmerrshme rritjeje, duke e bërë edhe më të pamundur blerjen e një apartamenti për të gjithë ata të cilët planifikonin të ndërtonin jetën në Tiranë.

Tregu i banesave në Tiranë është rritur me 40 për qind gjatë katër viteve të fundit dhe në disa zona të lakmuara të kryeqytetit gati është dyfishuar për një dekadë.

Banka e Shqipërisë bën me dije se rritja e kostos së jetesës si dhe e normave të interesit për kreditë kanë goditur kërkesën e individëve dhe bizneseve për të blerë prona. Ndërkohë sa i përket ofertës, rritja e kostos së materialeve dhe e kostos së fuqisë punëtore ka bërë që të ulet numri i lejeve të ndërtimit me 14% , krahasuar me një vit më parë.

Ndërtuesit kryesisht nga mungesa e fuqisë punëtore e kanë të pamundur të gjejnë punëtorë, edhe nëse do të kenë mundësi të ndërtojnë, me qëllim që të mbyllin në kohë ndërtimin e një pallati.

Tregu është ngadalësuar, nga ana tjetër, pasi edhe kredia kushton më shumë. Ndërkohë pritej që një ditë do të arrihej “ngopja”. Kjo do të thotë se pas një eksodi nga zonat rurale në ato urbane, do të arrihej pika kulminante, prandaj është duke rënë ndjeshëm numri i të ardhurve në qytet, apo nga rrethet në kryeqytet, për të jetuar në Tiranë. Gjithashtu edhe numri i emigrantëve që kthehen dhe blejnë apartamente banimi në Tiranë, do të vinte duke rënë.

Në fakt, veç zhvillimeve demografike, emigracionit, plakjes së popullsisë, çmimi i apartamenteve në zonat urbane, kryesisht në Tiranë pësoi rritje edhe për shkak se u hartuan ligje në favor të rritjes së çmimit.

Kështu, një emigrant ose një familje e re që dëshiron të ndërtojë jetën në fshat, ku mund ta ketë truallin pronë të vetën, sipas ligjit duhet të paguajë rreth 7 mijë euro për të fituar lejen ose të drejtën e ndërtimit të banesës. “Fatura” i ka detyruar ata gjatë vitit të fundit që si alternativë t’i drejtohen qytetit për të blerë apartamente në pallatet që ndërtohen.

Nga ana tjetër, nuk u është vënë asnjë taksë shtesë pronarëve apo ndërtuesve që mbajnë stok apartamentet e pashitura, me qëllim që të favorizohej ulja e çmimit dhe t’iu jepej më shumë shans të rinjve që donin të ndërtonin jetë në kryeqytet ose në vendin e tyre.

Në këto kushte, ndërsa shumë nga të rinjtë u larguan në emigracion, dhe zonat rurale apo rrethet thuajse janë zbrazur, do t’i vinte fundi rritjes së çmimit të tregut të banesave në Tiranë.

/Liberale.al/

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH