Aktualitet

SHIFRA E DITËS: 80 mijë lekë më tepër shpenzime prej krizës, pse inflacioni as është dhe as përjetohet njësoj nga të gjithë

Shkruar nga Liberale
SHIFRA E DITËS: 80 mijë lekë më tepër shpenzime prej

Nga Aranit Muraçi

Rritja e çmimeve në Shqipëri, e nxitur nga kriza energjetike dhe lufta në Ukrainë, veçanërisht e ushqimeve dhe karburanteve, ka vijuar edhe në muajin korrik, gjë që shkaktoi rritje të mëtejshme të inflacionit. Inflacioni për muajin korrik sipas INSTAT, shkoi në 7.5. Si krahasim në eurozonë inflacioni është vlerësuar për muajin korrik në 8.9 dhe në SHBA 8.5. Kudo, kostoja e jetesës është shumë më e lartë se një vit më parë, thonë shifrat zyrtare. Por shumica e njerëzve e kuptojnë se faturat dhe shpenzimet në realitet janë rritur shumë më tepër. Kjo për shkak se, norma e inflacionit personal drejtohet nga faktorë specifikë: për shembull nëse jeni dikush që blini shumë naftë dhe benzinë, shpenzimet tuaja javore do të jenë rritur shumë më tepër sesa të dikujt tjetër që lëviz me biçikletë ose nuk ka makinë. Për një individ me të ardhura mesatare (500 mijë lekë të vjetra), nga inflacioni i këtij viti, ai për të blerë të njëjtat produkte dhe për të kryer të njëjtat shërbime mujore, si një vit më parë, është i detyruar të paguajë më tepër, nga 60 deri në rreth 100 mijë lekë (mesatarisht 80 mijë lekë të vjetra). Ndërkohë që paga mesatare nuk ka ndryshuar, të paktën gjatë vitit të fundit. Për shumë konsumatorë përvoja individuale e rritjes së çmimeve mund të jetë në kundërshtim me atë që raportohet në lajme. Inflacioni matet duke marrë një “shportë” tipike mallrash dhe shërbimesh dhe duke parë se sa është rritur mesatarisht çmimi i saj në një periudhë të caktuar. Përmbajtja e asaj shporte ndryshon çdo vit, me ndryshimin e zakoneve të konsumatorit. Disa konsumojnë cigare, disa alkool, disa të tjerë shpenzojnë më tepër për të ndjekur aktivitete, për veshmbathje, udhëtime etj. Konsumstori shpesh kur nuk i përballon heq dorë nga disa shpenzime jo thelbësore. Megjithatë, jo gjithçka që blihet pasqyrohet në shifrat zyrtare të inflacionit. Për disa produkte mund të rritet çmimi më shumë se sa ai që është llogaritur në shportë. Në inflacionin personal varet sesa rëndësi luan rritja e çmimit të një artikulli në shpenzimet tona të përditshme. Çdo artikull ka një “peshë” të caktuar në ekonomi, prandaj ndryshimi i çmimit të naftës dhe benzinës do të ketë një ndikim shumë më të madh si për xhepat e një individi, po ashtu edhe të ekonomisë, sesa për shembull rritja e kostos dhe e çmimit të çajit. Për këtë të fundit mund të hiqet dorë nga konsumi, nëse rritet çmimi, sepse zëvendësohet lehtësisht me produkte të tjera alternative. Edhe pse nga rritja e ndryshimi i çmimit të hidrokarbureve, Shqipëria vlerësohet aktualisht se mban çmimet më të larta në rajon, pavarësisht krizës, vendi ynë njëkohësisht po operon me çmimet më të ulëta energjetike. Sipas të dhënave zyrtare, rreth 400 milion euro janë arkëtuar në buxhet përtej planit, nga rritja e çmimeve gjatë 7 muajve të parë të këtij viti. Nga ana tjetër rreth 600 milion euro është planifikuar që të shpenzojë buxheti i shtetit për të blerë energji nga jashtë për këtë vit, me qëllim plotësimin e nevojave konsumatore. Ndërkohë në shumë vende të Europës faturat e energjisë pritet të dyfishohen gjatë këtij viti, në kurriz të konsumatorit. Autoritetet nuk kanë vendosur ende se si do të llogarisin ndihmën që do t’ju jepet familjeve këtë vjeshtë, rreth 140 milionë euro, e cila do të kompensojë një pjesë të popullsisë së prekur nga rritja e menjëhershme e çmimeve ushqimore. Ndihma nuk do të pasqyrohet automatikisht në shifrat totale të inflacionit, por ajo duhet të lehtësojë shtresat më të prekura nga presioni i çmimeve. Inflacioni është nxitur kryesisht nga kostot më të larta të energjisë gjatë muajve të parë të vitit - por faturat ndryshojnë shumë nga një individ dhe familje, në një tjetër. Shumica e familjeve shqiptare konsumojnë për ngrohje dhe gatim energji elektrike dhe përdorin gazin, për të cilat faturat nuk janë rritur deri tani ose janë rritur më pak, sesa nafta e benzina. Ndërkohë për shumë vende të tjera është rritur më pak nafta por është rritur ndjeshëm çmimi i energjisë elektrike. Ajo që nuk është bërë transparente është ndryshimi i çmimeve në tregjet globale për produktet e importuara dhe reflektimi i këtij ndryshimi në tregun vendas, duke e krahasuar këtë ndryshim me vendet e tjera. Pse është zgjedhur, për shembull, që të mos ulet nafta dhe benzina, të cilat kontrollohen nga opetatorë privatë, dhe nga ana tjetër, nëse nuk ka abuzim a po përdoret si justifikim kjo duke mos rritur energjinë elektrike, kur ajo blihet me një çmim më të lartë në tregjet globale,  sektor ky që menaxhohet nga shteti? Çdo vit ka produkte që u rritet ndjeshëm çmimi. Çmimin në çdo periudhë normale e përcakton tregu. Nëse çmimet rriten në tregjet globale dhe kjo rritje reflektohet me shpejtësi në tregun vendas, ato normalisht kur bien në tregjet ndërkombëtare duhet të reflektojnë me të njëjtën shpejtësi. Këtë vit, artikujt kryesorë që po u rritet çmimi janë edhe ato më kryesoret në konsum: ushqimi si dhe energjia, të cilat po rrisin edhe indirekt çmimet e tjera. Nuk ka ende rënie të çmimit të tyre në tregun vendas, sikurse ndodhi me rritjen, pas rënies së çmimeve në tregjet ndërkombëtare. Abuzimi me çmimet në kohë kohë normale dhe krize është një tjetër gjë, për të cilin në vendet e tjera mbahet përgjegjësi morale, por edhe penale. Familjet me më pak të ardhura do të përballen më tej, rrjedhimisht, me një normë inflacioni më të lartë, sesa familjet e pasura, sepse ato blejnë gjërat më të domosdoshme të shportës dhe shanset janë që çmimi të rritet edhe më tepër për mallrat e konsumit të përditshëm, ose më të kërkuarat në treg. Vetëm rritja e të ardhurave mund të zbusë goditjen nga kriza e çmimeve. Edhe nëse çmimet po rriten për të gjithë, dhimbja që përjetojnë njerëzit ndryshon nga gjendja ekonomike e secilit prej tyre.  E vetmja mënyrë për të ruajtur standardet e jetesës është që të kemi më shumë para. Aktualisht paga mesatare nuk përputhet në asnjë vend me kostot në rritje të jetesës. Në vendin tonë, me ndonjë përjashtim, nuk ka pasur rritje pagash as në sektorin publik dhe as në atë shtetëror. Ata që mbështeten në pensionet shtetërore duhet të presin një kohë tjetër për rritje pensioni. Nëse mendoni se me të ardhurat e këtij viti po blini më pak sesa një vit më parë, duhet të kuptoni se nuk jeni të vetëm, ndërsa për të pritur ditë më të mira shpresa e vetme është rikthimi në normalitet i ekonomisë globale. /Liberale.al/

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH