Aranit Muraçi
Pushteti politik dhe ekonomik është përqendruar në pak duar, për të cilët, janë shtuar zërat se, nga mungesa e garës, është pikërisht kjo arsyeja pse shqiptarët vazhdojnë të largohen masivisht nga vendi i tyre. Ironikisht janë përgjegjësit dhe shkaktarët e tranzicionit të tej-zgjatur ata të cilët duan t’i japin zgjidhje shpopullimit të vendit. Dhe është kjo arsyeja pse OKB e ka projektuar popullsinë e Shqipërisë si të pashpresë, që do të zbresë në 1.1 milion banorë në vitin 2100. Sipas shifrave zyrtare rreth 46,460 shqiptarë u larguan nga vendi në vitin 2022. Ky eksod ishte 10,5% më i lartë se në vitin 2021, ku shumica, rreth 36,000 ishin të rinj, sipas të dhënave të reja të Institutit Shqiptar të Statistikave. Mesatarisht largohen nga vendi rreth 40 mijë shqiptarë çdo vit. Largohet thuajse një rreth i vogël sa Librazhdi, Bulqiza, Tropoja. Fshatra të tërë janë braktisur dhe boshatisur anembanë vendit. Të dhënat tregojnë gjithashtu se më pak të rinj shqiptarë hyjnë në krahun e punës dhe përfundojnë studimet. Në vitin akademik 2021-2022, në arsimin e lartë u diplomuan rreth 30.910 studentë, duke shënuar një rënie prej 5,4% nga viti i kaluar akademik. Burime të tjera, si të dhënat e BE-së, sugjerojnë se familjet duke mos parë perspektivë gjithashtu po largohen jashtë vendit. Normat e regjistrimit për vitin e kaluar 2022-2023 kanë rënë me 4% për nxënësit e shkollave fillore. Një faktor i rëndësishëm në rritjen e migracionit ka të ngjarë të jetë shkalla e lartë e papunësisë së të rinjve ose tallja me vlerën punës. Sipas një raporti nga Fondacioni Westminster për Demokraci, Shqipëria ka papunësinë e dytë më të lartë të të rinjve në Ballkanin Perëndimor. Unicef raportoi se rreth 17% e shqiptarëve të moshës 18-24 vjeç e kishin braktisur shkollën, në vitet 2021-2022 dhe më shumë se një e katërta e atyre të moshës 15-24 vjeç nuk ishin as të punësuar dhe as të regjistruar në ndonjë diplomë arsimore. Në përgjithësi, popullsia e Shqipërisë ka rënë çdo vit nga viti 2001 deri në vitin 2023. Të dhënat më të fundit tregojnë se më 1 janar 2023 popullsia rezulton 2.761.785 banorë, duke pësuar një rënie me 1,1 %, krahasuar me 1 janar 2022. Gjatë vitit 2022 shtesa natyrore e popullsisë (lindje-vdekje) regjistroi 690 lindje më shumë se sa vdekje. Nga ana tjetër vërehet edhe një rritje e moshës mesatare të popullsisë, ku më 1 janar 2023 rezultoi 38,8 vjeç nga 38,2 që ishte më 1 janar 2022. Raporti i varësisë së të rinjve u zvogëlua, ndërsa raporti i varësisë së të moshuarve u rrit krahasuar me vitin paraardhës. Raporti gjinor i popullsisë gjithsej ka pësuar rënie, në krahasim me 1 janar 2022: nga 98,6 në 98,0 meshkuj për 100 femra, ndërkohë, që edhe raporti gjinor në lindje pësoi rënie të lehtë. Gjatë vitit 2022 lindën 24.688 foshnja, duke pësuar një rënie prej 9,3 %, krahasuar me një vit më parë. Numri i vdekjeve në 2022 ishte 23.998 persona, duke pësuar një rënie prej 21,3 %, krahasuar me një vit më parë. Tirana, Durrësi dhe Fieri kanë peshën më të lartë në popullsinë gjithsej. Më 1 janar 2023 Tirana zuri rreth 33,5 % të popullsisë gjithsej, duke vazhduar të jetë një nga qarqet më të populluara të vendit, ndjekur nga Durrësi dhe Fieri me nga 10,5 % dhe 9,8 % përkatësisht. Sa i përket qarqeve të tjerë, pesë prej tyre zënë respektivisht nga 1,9 % deri 4,1 % të popullsisë gjithsej. Përllogaritjet tregojnë se vetëm një qark i vendit shënoi rritje të popullsisë, krahasuar me një vit më parë, ndërsa njëmbëdhjetë qarqet e tjerë shënuan rënie të popullsisë. Rritja u shënua në Tiranë (+ 0,6 %). Nga ana tjetër, uljet më të mëdha të popullsisë u shënuan në qarqet: Gjirokastër (- 3,6 %), Berat (- 3,1 %) dhe Dibër (- 2,9 %). Jemi në vitin e censusit, por sido qofshin rezultatet, tkurrja e popullsisë do të jetë e pashmangshme. Pyetja që shtrohet është: A mund të presim zgjidhje nga ata të cilët i shkaktuan plagët e migracionit masiv?!