Aranit Muraçi
Më 1 prill hyn në fuqi vendimi i rritjes së pagës minimale, në Shqipëri, në 40 mijë lekë (të rinj). E teksa premtimi i radhës i qeverisë për të rritur pagën mestarë në 900 euro brenda dy viteve ka ndezur debate dhe ka ngjallur skepticizëm, Eurostat ka publikuar sot të dhënat të reja për pagat në vendet anëtare. Në Shqipëri, ndoshta ende nuk është kuptuar që puna dhe paga llogariten si kosto. Kush është ai vend që nuk dëshiron të ketë paga më të larta dhe mirëqenie më të madhe? Por paratë për rritjen e pagave, me qëllim për të mbuluar kostot më të larta veç rastit të rritjes së inflacionit, nga do të merren, përderisa në vendin tonë nuk ka vlerësime dhe as të dhëna për kostot e punës.
Atëherë si ndryshojnë pagat, kur nuk dimë ose nuk kemi të dhëna sesa është kostoja e punës? Cilët janë sektorët me koston më të ulët dhe më të lartë të pagave në vendin tonë? Akoma më pesimiste situata paraqitet në ato vende, që janë duke e humbur me shpejtësi fuqinë punëtore, si Shqipëria, për të shpresuar te rritja e produktivitetit, sepse, nga fitimet e këtij të fundit çdo vend tjetër shpreson në rritjen reale të pagave.
Nëse pa një plan serioz rriten pagat në sektorin publik, që numëron rreth 200 mijë të punësuar, koston e rritjes do ta mbulojë buxheti i shtetit, të ardhurat e të cilit sigurohen nga taksat që paguan e tërë shoqëria. Vendimi që është i detyrueshëm të zbatohet nga sektori publik jo vetëm që vështirë se do të ndiqet nga sektori privat, por mund të shoqërohet me pasoja serioze në ekonomi, në një plan më afatgjatë.
Një biznes ose një familje shqiptare e cila nuk ka të punësuar asnjë anëtar në Administratën Publike do të detyrohet të paguajë taksa më të larta, për të mbajtur në këmbë një administratë që do të ketë paga më të larta, ndaj edhe të ardhurat e pjesës tjetër të shoqërisë, e cila nuk ka asnjë anëtar të punësuar në sektorin publik, do të tkurren. Kështu, sipërmarrjes private i shkon barra dyfish për të paguar kostot më të larta të punës, si për të mbështetur të punësuarit në sektorin publik, ashtu dhe kostot e sipërmarrjes së tyre, çka do të thotë se ato që janë në vështirësi, do të hedhin një hap të sigurt drejt falimentit. Qytetarët e zhgënjyer duke mos gjetur punën e duhur, kur të detyrohen të paguajnë më tepër taksa për të dhënë kontributin e tyre në përballimin e rritjes së kostos së pagave të Administratës Publike, me siguri do t’iu jepet një tjetër mundësi për t’u larguar nga Shqipëria. Nga ky zinxhir, ose pagat do të rriten dhe kostoja e rritjes së tyre do të mbulohet nga rritja e inflacionit, që praktikisht nuk do të ketë vlerë, ose llogaritë e rritjes janë bërë gabim dhe mund të shoqërohen në një të ardhme me pasoja dramatike.
Kostot e punës për vendet anëtare të Bashkimit Europian në orët bazë të një dite pune varionin nga 8 euro në 51 euro. Në vitin 2022, kostot mesatare për orë të punës në të gjithë ekonominë e BE-së u vlerësuan në 30,5 euro dhe 34,3 euro në zonën e euros , krahasuar me 29,0 euro dhe 32,8 euro, që ishin përkatësisht në vitin 2021.
Vlerësimet e të dhënave mbi nivelet e kostove të punës janë publikuar sot nga Eurostat, Instituti i Statistikave i Bashkimit Europian. Kostot mesatare ditore për orë të punës tregojnë diferenca të konsiderueshme midis vendeve të BE-së. Kostot më të ulëta ditore të punës për orë janë regjistruar në Bullgari (8,2 euro) dhe Rumani (9,5 euro), dhe më të lartat në Luksemburg (50,7 euro), Danimarkë (46,8 euro) dhe Belgjikë (43,5 euro).
Kostot ditore e punës në industri ishin 30,7 euro në BE dhe 36,6 euro në zonën e euros. Në ndërtim, ato ishin përkatësisht 27.3 euro dhe 30.8 euro. Në shërbime, kostot e punës për orët e secilit punonjës në një ditë ishin 30,2 euro në BE dhe 33,3 euro në zonën e euros. Në ekonominë kryesisht jo-sipërmarrëse (pa përfshirë administratën publike), ato ishin përkatësisht 31.3 euro dhe 34.8 euro.
Komponentët kryesorë që matin koston totale të punës janë e para, pagat e mëditjet, dhe e dyta kosto të tjera (p.sh. kontributet sociale të punëdhënësve, transporti). Pjesa e kostove (jo-paga) në kostot totale të punës për të gjithë ekonominë e BE-së ishte 24.8% dhe 25.5% në zonën e euros. Përqindjet më të ulëta të kostove që të tjera (jo-paga) u regjistruan në Lituani (5.4%) dhe Rumani (5.3%) dhe më të lartat në Francë (32.0%), Suedi (31.9%) dhe Itali (27.8%).
Në vitin 2022, krahasuar me vitin 2021, kostot e punës për orë në nivel të gjithë ekonomisë, të shprehura në euro, u rritën me 5.0% në BE dhe me 4.7% në zonën e euros.
Brenda zonës së euros, kostot e punës për orë u rritën në të gjitha shtetet anëtare. Rritjet më të mëdha u regjistruan në Lituani (+13.3%), Irlandë (+9.3%) dhe Estoni (+9.1%).
Për vendet e BE-së jashtë zonës së euros, kostot e punës për orë të shprehura në monedhën kombëtare u rritën në vitin 2022 në të gjitha vendet, me rritjen më të madhe të regjistruar në Bullgari (+15.3%), Hungari (+13.9%), Rumani (+12.2%) dhe Polonia (+11,7%). Më së paku u rritën në Danimarkë (+2,3%).
Studimet dhe të dhënat zyrtare tregojnë se ekziston një hendek i vazhdueshëm në paga midis Evropës Perëndimore dhe Shteteve të reja Anëtare të BE-së të Evropës Lindore dhe Qendrore. Pse ende pas 27 vitesh tranzicioni nga socializmi shtetëror dhe 14 vjet anëtarësimi në BE, mbyllja e hendekut në standardet e jetesës midis Evropës Perëndimore dhe Evropës Lindore dhe Qendrore mbetet edhe më e pakapshme se më parë, me pak gjasa se situata mund të ndryshojë në një kohë të afërt.
Vendit tonë nuk i mbetet gjë tjetër, veçse të kuptojë se nuk është e lehtë për të gjetur rrugët e duhura që të dalë nga situata e vështirë ekonomike, ku ndodhen edhe ish-vendet e tjera komuniste, prej vitesh anëtare të BE-së. Së pari, qeverisë i duhet të financojë një studim serioz për të kuptuar tregun e punës.
/Liberale.al/