Aktualitet

Sezoni i gjuetisë

Shkruar nga Liberale
Sezoni i gjuetisë

Anjeza Xhaferaj

Me afrimin e zgjedhjeve të 25 prillit, ka nisur edhe sezoni ‘i gjuetisë’ së votave. Rëndom, banorët shohin të rinj që trokasin në dyert e shtëpive dhe i pyesin nëse e njohin deputetin e zonës dhe çfarë problemesh kanë që do të donin që deputeti në fjalë t’ua zgjidhte. Pyetja përmban shumë probleme. Së pari është e dhimbshme të pyesësh qytetarin pas 4 vitesh nëse e njeh apo jo deputetin e tij/saj. Dhe në këtë rast nuk e dimë nëse duhet të na vijë keq për qytetarin që dyshohet se mund të mos njoh deputetin apo për deputetin dora vetë që ‘vuan’ teksa mendon se qytetari mund të mos e njohë. Sigurisht në zgjedhjet e fundit, me hyrjet e kandidatëve që u nxorën nga katakombet e listave, dyshimi është nëse legjitim. Megjithatë ky është problemi më i vogël dhe për më tepër i stisur. Që prej zgjedhjeve të vitit 2009, nuk kemi më deputetë të zonës. Deputetët votohen në grup dhe përfaqësojnë zonën zgjedhore si të tërë dhe jo ndonjë territor të caktuar specifikisht për ta. Tamam- tamam ata zgjidhen nga një zonë por jo domosdoshmërisht e përfaqësojnë atë, sepse deputeti përfaqëson kombin dhe detyra e tij është ligjvënia dhe jo hallet e përditshme të qytetarit të thjeshtë, me të cilat në fakt merret ose gjithsesi duhet të merret pushteti vendor.

Po atëherë përse kjo lajthitje e deputetëve që papritmas vendosin pas katër vitesh të ripërtërinin betimet me qytetarët si për të thënë që ‘martesa’ mes tyre ka qenë e lumtur? Në fakt deputeti është i ngarkuari në detyrë për të ‘kapur’ sa më shumë elektorat, dhe zonat janë ndarë për ‘kollajllëk’. Pra më tepër se lidhje e deputetit me qytetarin, është çështje e menaxhimit të partisë, çështje e menaxhimit të burimeve njerëzore, ku secilit deputet/ose kandidat për deputet i caktohet një zonë e caktuar për të menaxhuar aktivitetet e partisë në atë zonë.

Këtë vit ka edhe një specifik tjetër, por që zor të ndikojë në mënyrën e votimit, të paktën jo në ato zona ku kreun e listës e kanë kryetarët e partive. Është folur lartë e poshtë se më në fund reforma e re zgjedhore do të na japë zgjedhjet që duam, deputetët që duam, edhe pse për hir të së vërtetës Ilirjan Celibashi dora vetë, Komisioneri në një deklaratë për DW më 9 shkurt të këtij viti tha ‘Në Shqipëri nuk është se ka ndodhur një reformë e thellë zgjedhore lidhur me sistemin zgjedhor apo me  rregullat  e përgatitjes dhe administrimit të zgjedhjeve”. Gjithsesi, edhe pse vetë Kodi Zgjedhor i përditësuar, ai që gjen në faqen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nuk e përcakton qartë, ajo që i është njoftuar publikut përmes mediave ka të bëjë me mundësinë që zgjedhësit kanë për të zgjedhur vetë deputetin e tyre të parapëlqyer dhe jo të pranojë symbyllurazi renditjen e bërë në mënyrë arbitrare nga kryetari i partisë, siç edhe ka ndodhur deri më tash.

Thënë kështu duket bukur por, përtej kësaj zgjedhësi i thjeshtë (dhe po fus edhe veten këtu) nuk e ka ekzaktësisht të qartë se si do të votojë: do të hedhë një votë apo p.sh 36 vota (aq sa ka Tirana), apo mund të hedhë 5 apo 17 vota, apo mund të votojë përveç një deputeti të themi të Vetëvendosjes edhe për një deputet të PD apo PS. Sepse pikërisht për këtë u bë gjithë ajo luftë e madhe në media: t’i jepnin fuqi reale zgjedhësve në zgjedhjen e deputetëve të tyre. KQZ nuk i ka specifikuar ende modalitetet. Ka përcaktuar një program për edukimin zgjedhor që do të fillojë në mars, por nuk e dimë ekzaktësisht se cila është ‘kurrikula’ e këtij programi dhe sa e qartë është vetë KQZ-ja për këtë. Në fakt po të lexosh intervistën e Komisionerit tek DW, shikon se ka një mospërputhje mes tam-tameve të medias dhe një sërë analistësh për listat e hapura dhe kuptueshmërisë së vetë ‘reformatorëve’ për procesin. Kështu Komisioneri përmend si elementë të reformës ‘sistemin e identifikimit biometrik të zgjedhësve që është një garanci më shumë për integritetin e procesit të votimit… ndryshimet që reflektojnë mënyrën sesi do të mbikëqyret veprimtaria e administratës publike, rregullat e reja të ndryshuara lidhur me raportimin e financave, përdorimin e fondeve publike, [të cilat] janë, të paktën në letër, garanci e shtuar për procesin zgjedhor”.

Po ndërsa paqartësia për procesin ‘mbretëron’ gjithkund, vetë ata që mëtojnë për të qenë deputetë e kanë të qartë që do duhet të kenë edhe ca vota në emrin e tyre, në mënyrë që të tregojnë se njihen dhe janë të rëndësishëm. Edhe në kushtet kur qartazi qytetarët nuk e dinë këtë, ata prezantohen si deputetë të zonës, si deputeti për të cilin duhet të vazhdojnë të votojnë edhe në zgjedhjet e ardhshme. Megjithatë telashet nuk kanë të sosur. Aty ku listën e drejton kryetari i partisë dhe kryetarët kanë të drejtë të jenë në krye të listës në 4 zona zgjedhore, vështirë që zgjedhësit të vënë ndonjë kryq tejtërkund përveçse tek kryetari i partisë. Gjasat që pushteti i kryetarit të zvogëlohet pas këtyre zgjedhjeve është shumë i vogël. Përkundër asaj që synonim, nuk bëmë gjë tjetër përveçse rritën pushtetin e kryetarit të partisë. Ndërsa në zonat e tjera zgjedhore, atje ku nuk kandidon kryetari i partisë, deputetët e të njëjtës parti do konkurrojnë kundër njeri-tjetrit për të marrë ato të shkreta kryqe anash emrit të tyre. Dhe me shumë gjasa shit-blerja e votave do të jetë më e madhe, sepse ashtu sikundër në sistemin mazhoritar, ku zona zgjedhore ishte e lidhur me deputetin, tashmë edhe me listat e hapura, deputetët do të duan ta lidhin zonën zgjedhore me emrin e tyre, duke sulmuar ndoshta jo vetëm partinë tjetër, por edhe ‘kolegun’ e partisë së tyre dhe me këtë rast duket sikur ‘sezoni i gjuetisë’ do të kthehet në një ‘sezon shtrigash’. /Gazeta Liberale

Liberale Newsroom

A është e pranueshme (dhe e ligjshme) ndërhyrja e kryeministrit Rama në çështjet e brendshme të disa prej bashkive të vendit?

  • Po!
  • Jo!
Powered by the Tomorrow.io Weather API
SHQIPENGLISH