Editorial

Secili derdhjen e vet

Shkruar nga Liberale
Secili derdhjen e vet

EdisonYpi

Një burrë i mirë nga katet e epërme, familjar shembullor e i urtë si ai, e ka gjetur mënyrën si të çlirohet nga stresi i koronavirusit. Po vret njerëzit e vet duke u derdhur plumbat e kobures në kokë. Gëzhojat e zbrazura nga plumbat, duke nxjerrë pak tym, bien në trotuar si bishta cigaresh të ndezura.

Rruga e zbrazur dhe e heshtur ka mbetur si këmbanë shurdhe. S'ka kush ta dredhë, ta tundë, ta derdhë.

Komshia sipër ecën me nallane. Në ditë të zakonshme, trokitjet e nallaneve të komshies mbi dyshemenë e saj dhe tavanin tim, do ishin derdhje e kupës së durimit. Por në heshtjen e thellë karantinore, të njëjtat nallane me të njëjtat kërrcitje nga e njëjta komshie, janë një derdhje tingujsh, një ëmbëlsi mozartiane.

Në pallatin përballë po bëjnë dashuri. Tek derdhen, nga dritarja që e kanë harruar hapur, ose e kanë lënë hapur qëllimisht, vijnë britma qefi sikur ai asaj nuk i ka ngulur atë mikun por cfurkun.

Ne femrave shqiptare - po i thotë me ton konfidencial një Zonjë nga ballkoni i vet mikeshës së saj në ballkonin ngjitur, të dyja ulur në stol dhe me nga një filxhan kafeje përmbysur në parvaz - na ka dalë nami sikur nuk e kemi problem të rrimë brenda. Është justifikim diabolik i burrave tanë për të na mbajtur të mbyllura, ndërkohë që për vete ikin derdhen mbi mikesha ose zuska. Vetmi nuk është kjo me muhabet dhe kafe në ballkon. Vetmi është tjetra; kur të rrethojnë dhe të rrinë afër aq shumë assholes sa të zenë frymën, dhe të kap një stres e një sëkëlldi që s'ta heq dot asnjë derdhje.

Në pallatin ngjitur ja kanë marrë një kënge kurbeti me tekst trashanik, por rrënqethës, derdhës.

Po diskutohet me zjarr për shpikjen e një aparati që do mundësojë derdhjen në distancë pandemike, pra kur ai dhe ajo, ai dhe ai, ajo dhe ajo, ata dhe ato, ndodhen nga 1 deri në 2 metra larg.

Një komshie në mesmoshë me sharm aristokratik, ka gjetur një radio si të Zonjës Nurihan, një Philips të vjetër si sepete prej dru arre, me ornamente të përdredhura si mbishkrime varresh arabike, dhe po u mburret miqve dhe mikeshave në celular; Kjo është radio. Kjo me spango që fërshëllen si tren në çdo stacion. Nuk janë lajme ato dërdëllitjet që dëgjoni ju. Nuk ka lajme pa rrënqethje. Lajme janë këto që ta bëjnë mishin kokërr. Këto me diktatorë, me vaporë me drithë, kërcënime me uri, intriga ndërkombëtare, baza nëndetësesh për me ja ça Italisë çizmen mespërmes. Me e bo Italinë Taranto e poshtë këpucë, Leçe e lart prezervativ. Ma shpifin televizionet shqiptare. Janë pa derdhje. Shoh vetëm filmat e Woody Allen dhe GiuseppeTornatore, si dhe dëgjoj ErikSatie. Më lumturon kjo vetmi. Është e vetmja pasuri që më përket e tëra mua.

Komshiu matematicien dy kate më lart derdhet në mënyrën e vet. I bie murit me kokë rregullisht 22 herë 7 herë në ditë. Që po ti pjestosh 22 me 7 bëjnë numurin "Pi" grek pas të cilit matematicieni marroset, dhe derdhet.

Një sadist e bën shurrën në këmbë duke e drejtuar currilin e trashë në mes të atij pellgut të vogël me ujë të sifonit të WC-së. Currili i shurrës së sadistit bën një zhurme të skëterrëshme që banorëve u duket sikur sadisti po u shkarkon brenda kokës kamiona me çakull.

Ka edhe nga ata që për tu derdhur bëjnë pompa. Një surratskuth, që edhe ai për tu derdhur kishte përgjuar natën me stetoskop në mur apartamentin ngjitur, tha se duhet bërë shumë kujdes për të dalluar pompat e gjimnastikës nga pompat e seksit dhe derdhjet respektive. Spiunin e Stetoskopit dhe derdhjen e tij, çeta e skeptikëve nuk e besuan. Por adhuruesi i sprasëm i Sigurimit, përmes spjegimeve të hollësishme në përputhje me dëshirat e shumicës dërrmuese optimiste, arriti ti bindë se po të studjohen me kujdesin e duhur kohëzgjatja dhe intervalet mes ofshamave, ndryshimi i ritmit të frymëmarrjes, numuri i kollave, zgavrat e krruajtjeve, intensiteti i teshtimave, oshëtima e derdhjes së qurrave, mund të përcaktohen diagnozat e tashme dhe të ardhme, deri zgjebja dhe kanceri, madje edhe damllaja. Sipas tij, për njohjen e pagabueshme të karaktereve njerëzorë, piksëpari tendencat e tyre si konsumatorë dhe votuesa, jo anketat e hapura, as bisedat direkte, as sondazhet, por vetëm kombinimi i spiunllëkut me Mjekësinë përmes përgjimeve të derdhjeve nokturne me stetoskop në mur, jep rezultate më të sakta se çdo gugëll apo poll.

Një parelli' eksentrik nga ata që mezi derdhen, kur i thanë për ekzistencën e spiunit të stetoskopit, aq u tmerrua, sa i ra shkurt, i bleu të katër apartamentet majtas e djathtas lart e poshtë apartamentit të vet. Për ti mbajtur bosh. Për të evituar çdo rrezik eventual nga çdo spiun, çdo derdhje, çdo stetoskop.

Një e çmendur në dritaren e banjës që i duket si ballkoni i Mussolinit po mban fjalimin e rradhës lidhur me rëndësinë e derdhjeve dhe rrallimin e panikeve në kohën e Karantinës. Derdhuni, vetëm derdhuni, po bërtet e çmendura. Nxirrni sa të mundni. Gjithçka. Ushqimin përmes vjelljes. Spermën nga hallatet. Djersën nga lëkura. Qurret nga hundët, fjalët nga shpella e gojës, pordhët nga brima e bythës.

Një ditë banorëve të mëhallës j'u tek ta thërrasin njeri tjetrin jo me emër por me titujt e vjetër, Bej, Aga, Pasha etj. Mirëpo me kalimin e ditëve, shtëpia nisi tu duket qeli burgu. Dera u fanepset me hekura. Djali ose nipi që u sjell për të ngrënë u duket gardian burgu. Tashmë secili prej tyre është Kont i Montekristos dhe po bën planet e duhura për tu bërë oligark. T'i bëjë Abat Farias ca lajka. Abati t'i tregojë ku ndodhet ishulli i shkretë dhe koordinatat e përpikëta të shpellës së thesarit. Abatin ta vrasi. Ta fusi në thes. Ta hedhi në Erzen.

Nuk shtyhet Karantina e koronavirusit pa pak derdhje në Internet. Në Youtube, një marangoz i shkathët dhe i zbathur kinez, po i jep fund bërjes së një kolltuku gjigand ku pritet të ulet Buda të shqiptojë ndonjë profecì, ose MaoCeDuni të shpalli ndonjë revolucion.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH