Aktualitet

Rama: Në këtë vend dalim të gjithë kushërinj, prandaj nuk funksionon drejtësia, koha të ndahet i ndershmi nga fajtori

Shkruar nga Liberale
Rama: Në këtë vend dalim të gjithë kushërinj,

Kryeministri Edi Rama u shpreh  në Konferencën e parë Ndërkombëtare të Antikorrupsionit, ngritjen e një strukture që do të merret vetëm me tenderimet e Administratës Publike.

“Për të përfshirë ekspertizën e jashtme që administrata të bëjë administratën dhe ministritë të bëjnë ministritë dhe procesin e tenderimit ta bëjnë strukturat që kanë një pavarësi më të madhe dhe një profesionalizëm më të lartë”, theksoi Rama.

“E pamë të udhës të shoqëronim nxjerrjen e raportit anti-korrupsion me këtë konferencë sepse besojmë se është e rëndësishme që të ndajmë me publikun edhe vështirësitë si dhe të përpiqemi të vendosim në një perspektivë këtë sfidë të vazhdueshme e cila asnjëherë nuk mbaron, pasi në asnjë shtet të botës çështja e korrupsionit nuk është zgjidhur përfundimisht”.

“Ky është një moment historik përtej të gjitha mangësive apo dobësive që ka një proces që nuk ka ndodhur kurrë më parë dhe është ende në hapat e para që në këtë vend ku të gjithë jemi kushërinj, por duhet të kemi një drejtësi të pavarur që ndan kushëririn e ndershëm nga ai fajshëm”.

“Është një sfidë e madhe dhe nuk ka ndodhur më parë kurrë”, the kreu i qeverisë.

Ai pranoi ndër të tjera se nuk ka pasur Shqipëria drejtësi të drejtë apo të pavarur nga politika apo pushteti i politikës në asnjë prej momenteve qeverisjes së saj qoftë në Mbretëri qoftë në komunizëm, qoftë në periudhat e tjera përpara. Dhe sigurisht që nuk ka pasur as në 30 vite tranzicion. “Ky është një fakt shumë i rëndësishëm, pavarësisht që ky është një proces që ka ulje dhe ngritjet e veta, që ka rëniet dhe zhgënjimet e veta, por që sidoqoftë është procesi i duhur në drejtimin e duhur”, tha ndër të tjera kryeministri Edi Rama, në Konferencën e parë Ndërkombëtare të Antikorrupsionit, në të cilën mori pjesë edhe ambasadorja e SHBA-ve në Tiranë, Yuri Kim.

“Një nga problemet kryesore nuk është vetëm korrupsioni, por edhe paaftësia për të ndërtuar procese profesionale dhe të drejta. Dua të mbyll me platformën e bashkëqeverisjes që u ka dhënë njerëzve një instrument të besueshëm. Sot kemi hipotekën online. Por cikli nuk është ende i mbyllur sepse aplikon online, por përgjigjen do ta presësh me postë”, u shpreh kreu i qeverisë.

Lufta me korrupsionin do të vazhdojë njësoj si jashtë, në vendet e BE-së ku edhe duam të integrohemi, - theksoi Rama, duke njohur problematikën dhe duke e shpallur si objektiv që të kemi një sistme drejtësia në nivel europian në vitin 2030.

“Sa shanse kishe deri para pak vitesh të bëheshe mësues nëse nuk ishte drejtpërdrejt i lidhur me një parti në pushtet, apo nëse nuk paguhej”.

“Marrim infermierët, ishte e pamundur të bëheshe infermier pa një teser partie, dhe i gjithë rekrutimi kthehej në një sistem partiak. Sot kjo është e paimagjinueshme, se të gjithë ata infermierë që janë sot rekrutohen përmes portalit”.

“Rekrutimi i policisë bëhej me letra bakalli që deputetët ia dorëzonin ministrit të brendshëm dhe niveli i trupës së policisë përcaktohej nga cilësia e burimeve njerëzore që dilnin nga xhepat e deputetit të zonës. Sot kjo është e paimagjinueshme, nuk futesh dot në sistemin e policisë së shtetit pa kaluar nga Akademia. Akademi nuk kishte, i mbyllën. Bëheshin ca kurse dhe futej kush paguante para apo kush kishte lidhje farefisnore”, pretendoi Rama me disa nga reformat që ka ndërmarrë qeverisja e ti, gjatë viteve të fundit.

Sipas tij, 300 mijë kontakte fizike zhvilloheshin gjatë muajit mes qytetarëve dhe shtetit dhe në këto kontakte kishte mungesë cilësie, transparence, zvarritje dhe shumë para nën dorë.

“Sistemi ishte i kapur tërësisht nga “kanceri” i një drejtësie të korruptuar, gjerësisht të kalbur dhe faktikisht të transformuar në një pazar ku e drejta shitej ose blihej. Pavarësisht se brenda sistemit kishte si kudo, njerëz të zotë dhe të ndershëm, tërësia e sistemit e bënte të pamundur qoftë për të ndershmit dhe të zotët, qoftë dhe për të pafajshmit të garantoheshin nga sistemi i drejtësisë.

Për reformimin e drejtësisë  Rama tha se do të ketë një hapje të një paneli të veçantë.

“Kush e mendonte deri pak vite më parë se në këtë vend do të ndëshkoheshin nga drejtësia, figura politike të rangut më të lartë, kush e mendonte në këtë vend se do të vinte dita vetëm pak vite më par nga fillimi i reformës në drejtësi që askush nuk do të ndjehej i paprekshëm dhe që anëtarë qeverie, përfaqësues të zgjedhur, deputetë do të merreshin nën hetim dhe do të akuzoheshin nga një prokurori tërësisht e ndarë nga politika dhe tërësisht i fokusuar tek misioni i saj për të bërë drejtësi”.

“Unë nuk besoj se dikush në këtë sallë deri para pak vitesh do ti përgjigjej pozitivisht. A e beson se pas pak vitesh do të ndodhë kështu? Dhe jo anëtarë qeverie dhe kryebashkiakë apo deputetë të opozitës, por të partisë në pushtet. Ne kemi pasur dikur anëtarë qeverie që pushkatoheshin, por ka qenë sistem tjetër”, u shpreh kryeministri, lidhur me faktin dhe akuzat se disa zyrtarë të lartë kanë rënë në pranga kohët e fundit, përfshirë edhe ish-kryebashkiakun e Vlorës, Agim Kajmaku.  /Liberale.al/

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH