Aktualitet

Qeveria shtyn afatin për rivlerësimin e pronave të paluajtshme

Shkruar nga Liberale
Qeveria shtyn afatin për rivlerësimin e pronave të paluajtshme

Qeveria shqiptare ka vendosur shtyrjen e afatit të rivlerësimit të pronave të paluajtshme. Përmes një akti normativ të miratuar në mbledhjen e Këshillit të Minitsrave, afati është shtyrë nga 31 dhjetor 2021 në 30 prill 2022.

Vendimi i Këshillit të Ministrave:

Në mbështetje të nenit 101 të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Në ligjin nr.90/2019, “Për rivlerësimin e pasurisë së paluajtshme”, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:

Neni 1

Në nenin 1 bëhen ndryshimi dhe shtesa e mëposhtme:

Në pikën 1, fjalët “… deri në datën 31 dhjetor 2021 …” zëvendësohen me “… deri në datën 30 prill 2022 …”;

Pas pikës 1 shtohet pika 1.1, me këtë përmbajtje:

“1.1. Parashikimi i pikës 1, të këtij neni, zbatohet edhe për kërkesat e dorëzuara pranë ASHK-së, të cilat nuk kanë përfunduar brenda datës 30 prill 2022, në rast se pagesa e tatimit për to bëhet para datës 31 korrik 2022.”.

Neni 2

Në nenin 5, fjalët “… dhe i shtrin efektet deri në datën 31 dhjetor 2021 …” zëvendësohen me “… dhe i shtrin efektet deri në datën 30 prill 2022 …”.

Neni 3

Ky akt normativ hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Sipas të dhënave të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës (ASHK) për Monitor për vitin 2021 janë kryer 56,623 aplikime për rivlerësimin e shtëpive.

Konkretisht, nga totali i numrit të aplikimeve të kryera për 32,944 të tilla (ose 58% e totalit të aplikimeve) është paguar tatimi 3% dhe ka përfunduar procesi. Për 16,682 aplikime nuk është paguar tatimi nga qytetarët.

Nga ASHK janë ende të patrajtuara 2,506 aplikime dhe 4,491 prej tyre janë anuluar. Për totalin e aplikimeve të përfunduara në 2021 janë arkëtuar rreth 3,6 mld lekë. Në përfundim të procesit nga ASHK do të deklarohet totali i aplikimeve të kryera në këto dy vjet të zbatimit të procesit me tatim 3% nga 15% që ishte më parë.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH